ANALIZË: Rroga minimale prej 18.000 denarësh – e mirëseardhur për punëtorët, për disa kompani “shok”
Maqedonia është vendi i pestë sipas rrogës minimale më të ulët në të gjithë Evropën. Fillojnë negociatat ndërmjet Sindikatës – Qeverisë – Punëdhënësve, për rritje të re të rrogës minimale në 18.000 denarë. Disa biznesmenë paralajmëruan se rritja e bërë nën presion mund të shkaktojë largime nga puna nëpër kompani, mund ta rrezikojë likuiditetin. Analizat e disa ekonomistëve e tregojnë të kundërtën, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Rroga minimale prej 18.000 denarësh – argumentet “për” dhe “kundër”
Rroga minimale prej 18.000 denarësh do të jetë për 207 euro më e ulët se rroga mesatare neto në industri dhe për 227 euro më e ulët se rroga mesatare neto në sektorin e shërbimeve. Konkretisht, nëse me ligj vendoset rroga minimale prej 18.000 denarësh, kjo do të përfaqësojë rreth 62 për qind të rrogës mesatare neto në vend, e cila në nëntor ishte 29.130 denarë.
Sindikatat, qeveria dhe biznesi po hyjnë në negociata për një rritje të re të rrogës minimale. Për sindikatat dhe qeverinë, rroga minimale më e lartë do të thotë edhe standard më të mirë. Çështje të shumta janë të hapura për biznesin – rritje e shpenzimeve edhe për kontributet, presion për rritje edhe të rrogave të tjera të cilave do t’u afrohet rroga minimale. Konfederata e Biznesit thotë se është “për” rritjen e rrogës minimale – por gradualisht, pa e dëmtuar likuiditetin e kompanive.
“Pres që të mblidhet këshilli ekonomiko-social. Fillimisht ramë dakord që propozim-ligji për rritjen e rrogës minimale të dërgohej në Kuvend pasi të gjithë të interesuarit të kishin arritur një marrëveshje më parë. Unë pres që të bisedojmë për të arritur një zgjidhje reale që nuk do të thotë rritje e rrogës minimale nën presion. Ne si punëdhënës konsiderojmë se rroga minimale duhet të rritet në faza, gradualisht gjatë vitit”, tha për Portalb.mk Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.
A mundet rritja e rrogës minimale të shkaktojë largime nga puna nëpër kompani? Në hulumtimin “Rroga minimale në RMV dhe efektet e saj në funksionimin e kompanive” të kryer nga ekonomistët Branimir Jovanoviq, Viktor Stojkov dhe Dragan Tevdovski thuhet:
“Kompanitë që janë prekur më shumë nga rritja e rrogës minimale deri më tani nuk kanë pasur ulje më të madhe të numrit të të punësuarve sesa kompanitë e tjera, gjegjësisht rroga minimale nuk ka sjellë në largimin e punëtorëve.
Sipas këtij hulumtimi, Maqedonia është në vendin e pestë sipas rrogës minimale bruto më të ulët në të gjithë Evropën – Shqipëria, Mali i Zi, Bullgaria dhe Turqia kanë rroga minimale bruto më të ulëta se ne. Tre ekonomistët gjithashtu konsiderojnë se rroga minimale megjithatë e rrit produktivitetin e punës, e cila është një nga çështjet problematike kur bëhet fjalë për rritjen “artificiale” të rrogës minimale.
“Rritja e rrogës minimale ka sjellë në rritje të produktivitetit të kompanive, që mund të shpjegohet me motivimin më të mirë të punëtorëve” – kanë përfunduar Jovanoviq dhe Naumovski.
Rroga minimale duhet të rritet – por kjo nuk duhet të jetë “shok” për një pjesë të kompanive, veçanërisht për veprimtaritë më të vogla artizanale, thotë Boshkov. Analizat e Konfederatës së Biznesit treguan se aktualisht 100 mijë punonjës marrin zyrtarisht rrogë minimale.
“Rritja e rrogës minimale do të jetë një “shok” për sektorë dhe veprimtari të caktuara si p.sh. kompanitë më të vogla, veprimtaritë zejtare, të vetëpunësuarit, fermerët. Rritja prej 3.000 denarësh nënkupton rritje edhe të shpenzimeve për kontribute me çka rroga minimale bruto të tejkalonte vlerën prej 24.000 denarëve – afër rrogës mesatare neto në vend. Problem me pagesën e rrogës minimale nuk kanë sektorët ku ka rrogë mesatare të lartë, por veprimtaritë e pambrojtura me punë intensive” – thotë Boshkov.
Aktualisht rroga minimale bruto është 22.150 denarë. Ligji për Rrogën Minimale për herë të parë është miratuar në vitin 2012, në vlerë prej 8.050 denarësh. Në vitin 2014, rroga minimale prej 8.800 denarësh është “betonizuar” si nivel për tërë ekonominë, në vitin 2015 është rritur në 9.590 denarë, në vitin 2016 ka arritur në 10.080 denarë, në vitin 2017 është ngritur në 12.000 denarë në vitin 2018 është caktuar në 12.165 dhe në vitin 2019 ajo ka arritur në 12.507 denarë. Rroga minimale në vitin 2020 ishte 14.500 denarë dhe nga gushti i vitit 2021 ajo është 15.194 denarë.