Site icon PORTALB

Osmani: Askush nuk negocion dhe as nuk ka të drejtë të negociojë për çështjet e identitetit

Bujar Osmani

Shefi i diplomacisë Bujar Osmani në fjalimin e tij para anëtarëve të Komisionit parlamentar për politikë të jashtme për rrjedhën e bisedimeve dhe marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes, theksoi se askush nuk po negocion për identitetin, gjuhën dhe atributet e tjera identitare, transmeton Portalb.mk.

“Kur jemi te çështjet e ndjeshme, dua ta përsëris qartë dhe me zëshëm – askush nuk negocion identitetin! Gjuha dhe atributet e tjera identitare janë çështje që lindin nga e drejta e vetëvendosjes së çdo personi, e çdo kombi, e çdo bashkësie etnike, e çdo shteti dhe është një e drejtë e patjetërsueshme më e fortë se çdo e drejtë tjetër. Për këto çështje nuk kemi negociuar, as nuk kemi të drejtë të negociojmë dhe as që do të negociojë dikush ndonjëherë”, nënvizoi Osmani.

Ai theksoi se mund të ketë pasur përpjekje të tilla në të kaluarën kur janë hedhur disa teza për mohimin e identitetit të maqedonasve si “Një popull në dy shtete”, që, thotë Osmani, ishte një përpjekje për të imponuar një pikëpamje të vetme të së vërtetës historike, por me një qasje të urtë, racionale, argumentuese arritëm të tregojmë se këto janë dukuri retrograde, se “nuk përputhen me vlerat e qytetërimit modern dhe mendoj se ia dolëm”.

“Sot nuk po flasim më për identitet, por vetëm për qasjen ndaj përcaktimit të së drejtës për vetëvendosje të secilit – në përputhje me rendin ekzistues shtetëror në të dy vendet. Kjo na shpie në grupin e çështjeve politike që deri vonë quhej pakoja 5+1”, tha Osmani.

Sipas tij, së fundmi ka filluar të përhapet, siç tha ai, “një histeri e lehtë se për çështje kaq të ndjeshme janë të mundshme zgjidhje ad-hok” dhe se dikush mund që vetëm, brenda natës, pas perdeve, pa dijeninë e qytetarëve të sjellë çfarëdo vendimi ose marrëveshje në dëm të qëndrimeve tona shtetërore të përcaktuara me deklaratën e Kuvendit.

“Dua të porosis se ekipi shtetëror udhëhiqet tërësisht nga pozicionet, qëndrimi shtetëror, që çdo çështje kalon nëpër disa filtra – së pari janë ekspertë dhe diplomatë në Ministrinë e Jashtme, profesionistë që merren me këto çështje në diplomaci pavarësisht çdo pushtet politik në vend. Ata janë personat e njëjtë me të cilët kanë punuar paraardhësit e mi, duke përfshirë edhe kryetarin aktual të Komisionit, Antonio Millososhki, kur ishte ministër. Pastaj është edhe Qeveria, ku ne marrim vendime së bashku, natyrisht në fund edhe ky komision, Kuvendi në përgjithësi dhe në fund qytetarët”, tha Osmani.

Në fund, theksoi Osmani, çështjet më të ndjeshme nuk i nënshtrohen negociatave politike, por janë objekt i bisedimeve ndërmjet ekspertëve në komisionin e përbashkët për çështje historike dhe arsimore, i cili, siç tha, është organ i pavarur në punën e të cilit nuk mundemi dhe as përpiqemi të përzihemi.

Ndryshe, Osmani, u thirr nga VMRO-DPMNE-ja që të raportojë mbi negociata me Bullgarinë. Kryetari i këtij organi parlamentar, Antonio Milloshoski, dy ditë më parë, tha se pret që ministri të paraqitet në seancë dhe të ketë një debat interesant në të cilin do të jepen përgjigje më serioze për negociatat me Sofjen.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Exit mobile version