Kryeministri bullgar Petkov, jemi duke përgatitur festë të përbashkët me RMV për Goce Dellçevin

Më 4 shkurt, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të përgatisin festë të përbashkët për Goce Dellçevin me rastin e 150 vjetorit të lindjes së tij, njoftoi kryeministri bullgar Kiril Petkov në Kuvendin Popullor, transmeton Portalb.mk.

Petkov shtoi se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, është kryeministër një javë dhe gjysmën e kësaj jave e ka kaluar me Qeverinë bullgare duke shprehur dëshirë që të ketë rezultate për kontestin me Bullgarinë.

Petkov tha se ministrat e Maqedonisë së Veriut që qëndruan në Bullgari ishin në numër të madh dhe kanë bërë përparim të madh në shumicën e temave nga bisedimet me homologët e tyre bullgarë.

“Në takimin e përbashkët u nënshkruan tre memorandume, në shumë fusha kyçe, në mesin e të cilave edhe Korridorin 8, i cili sipas kryeministrit bullgar Kiril Petkov është hequr nga lista e projekteve evropiane dhe nëse të dy vendet duan ta rikthejnë atë në agjendën e BE-së, që të ndodhë kjo duhet punë e përbashkët”, tha Petkov.

Ai tha se përderisa rrjedhin bisedimet për ekonominë dhe infrastrukturën, të dyja palët kanë diskutuar edhe për temat që janë të rëndësishme për Bullgarinë – të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, dhe qëndrimin kornizë.

Kiril Petkov në Kuvendin Popullor të Bullgarisë tha se Kovaçeski nuk sheh problem në përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por pa caktuar ndonjë afat kohor. Ai sqaroi po ashtu se tani nuk po diskutohet për 5+1, por 4+1 kërkesa dhe kjo brenda vetës është përparim.

“Kemi organizuar kalendar për takime çdo shtatë ditë. Më vjen mirë që edhe Komisioni Historik ka konfirmuar se do të kenë tre takime në muajt në vijim. Nuk kam ndërmend të ndryshoj asnjë anëtar të Komisionit Historik. Mendoj se kemi bërë punë të mirë këto dy javë”, tha Petkov.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në rezidencën “Bojana” në Sofje kanë mbajtur seancë të përbashkët, në të cilën, mes tjerash janë nënshkruajtur disa dokumenteve bilaterale. Në kuadër të kësaj, dy kryeministrat e vendit patën takim në katër sy. Kjo seancë e përbashkët vijon pas vizitës së Petkovit në Shkup më 22 janar. Kurse kryeministri i vendit ka takuar edhe presidentin Bullgar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button