Kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov i cili dje ishte në Shkup, vizitën e cilëson si sukses të madh, duke thënë se Bulgaria e ka marë notën (diplomatike) që e kërkonin dy vite më parë në të cilën thuhet se Mqedonia e Veriut nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, raporton 360Shkallë, transmeton Portalb.mk.
“Kjo notë është diskutuar, negociuar dhe vetëm pse kemi vepruar me një qasje të re, e kemi marrë atë. Dhe, kjo nuk ka të bëjë vetëm me përdorimin e emrave të shkurtër dhe të gjatë, por do të thotë se Maqedonia e Veriut nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë. Nga kjo duhet kuptuar se vizita ishte një sukses i madh”, tha sot kryeministri bullgar për vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut, pas fjalimit vjetor të presidentit Rumen Radev në Parlamentin e Bullgarsië.
Ai tha se vizita ishte shumë konstruktive por se ka ende shumë punë për të bërë.
I pyetur nga gazetarët nëse është diskutuar për çështjen e fashizmit, Petkov tha se Komisioni i Historisë mes dy shteteve është një nga grupet punuese që do të punojë për çështjet e tilla.
“Ata do të punojnë në pjesën e historisë së regjimit fashist në të gjithë Evropën dhe për ndikimin e tij në territorin e RMV-së së sotme. Komisioni i Historisë duhet të hyjë në më shumë detaje. Por është shumë më e rëndësishme që jemi të bashkuar që për 60 ditë të kemi një lidhje transporti Sofje-Shkup dhe kjo do të bëhet në mënyrën më transparente”, ka thënë Petkov.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.