Gjyqi për shkarkimin e presidentit shqiptar Ilir Meta është shtyrë për 1 shkurt pasi gjyqtari i lëndës në Gjykatën Kushtetuese rezultoi pozitiv me Covid-19. Procedurat fillimisht ishin planifikuar të fillonin të martën, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk.
Në një këndvështrim historik, Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi Presidentin Ilir Meta qershorin e kaluar për “shkelje të rënda” të Kushtetutës gjatë fushatës elektorale të prillit. 105 deputetë nga 140 deputetët e parlamentit votuan për shkarkimin e Metës, shtatë deputetë votuan kundër dhe tre abstenuan.
Gjatë fushatës elektorale të prillit, Meta akuzoi qeverinë për përfshirje në përgatitjet për manipulimin e zgjedhjeve, për bashkëpunim me bandat kriminale për të blerë vota dhe u bëri thirrje njerëzve të mbrojnë votën e tyre.
Mazhoranca socialiste nisi procedurat për shkarkimin e tij menjëherë pasi fitoi mandatin e tretë në zgjedhjet e përgjithshme të prillit 2021.
Mazhoranca kërkoi largimin e Metës për “shkelje të rënda” të Kushtetutës, që është një nga dy kushtet e mundshme për shkarkimin e Presidentit shqiptar, tjetri është kryerja e një krimi të rëndë.
Vendimi i kaloi Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim. Që shkarkimi të finalizohet, pesë nga shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të mbështesin shkarkimin e Metës, duke përfshirë të paktën një gjyqtar të propozuar prej tij.