Site icon PORTALB

PD mbledh sot Këshillin Kombëtar, ja temat kryesore që do të diskutohen

Partia Demokratike pritet të mbledhë sot Këshillin Kombëtar, ku pritet të diskutohet në lidhje me situatën e krijuar nga aktet e dhunës në datën 8 janar, shqyrtimin e miratimin e rregullores së brendshme dhe ndarjen e detyrave për anëtarët e këtij Këshilli, transmeton Top-Channel.

Takimi do të zhvillohet ditën e sotme në orën 16:30, ndërsa lajmi u konfirmua më herët nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i cili theksoi se në vijim të datës së caktuar në mbledhjen paraardhëse, mbledhja e Këshillit do të zhvillohet me rend dite si më poshtë vijon:

Informim mbi vendimet e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe diskutime mbi situatën e krijuar nga aktet e dhunës në datën 8 Janar.

Shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Këshillit Kombëtar, të përgatitur nga grupi i punës së ngritur me vendim të Këshillit Kombëtar nr. 172, datë 23.12.2021.

Diskutim dhe informim për planin e organizimit të partisë dhe ndarja e detyrave për anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Kujtojmë se protesta e thirrur nga Seli Berisha në selinë e PD-së, nisi mesditën e 8 janarit dhe mbështetësit e tij që në krye të herës dhanë shenjat se vazhdimi do ishte i dhunshëm. Ata nisën të shajnë dhe fyejnë të gjithë deputetët që mbështesnin Bashën.

Me të njëjtën situatë u gjend edhe Roland Bejko, anëtar i kryesisë të kësaj force politike i cili edhe u godit teksa donte të hynte në selinë blu, ndërsa mbështetësit e Berishës e detyruan të largohej.

Sali Berisha mbërriti ekzaktësisht rreth orës 12:00 në oborrin e PD-së, ndërkohë që Lulzim Basha për të evituar incidentet hyri në seli që në orën 08:00.

Misioni i protestuesve ishte i qartë, futja me çdo kusht në selinë blu. Ata mundën të hyjnë vetëm në katin e parë dhe tentuan pa sukses të çmontonin dyert e blinduara që të çojnë në katin e dytë.

Tentativa për të marrë selinë vijoi nga jashtë përmes shkallëve. Ata që donin të realizonin futjen nga dritaret, ku u përballën me gaz lotsjellës hedhur nga brenda selisë së PD-së.

Vendosmëria për të marrë selinë u përqendrua në një derë anësore duke vënë në përdorim leva e çekaanë. Nga të vetmet të çara që mundët të bënin, morën mbrapsht një sasi të madhe gazi lëshuar nga brenda.

Pas më shumë se dy orë protestë, ndërhyrja e policisë me kërkesën e PD-së bëri që të shpërndaheshin protestuesit, ndërsa Berisha ndodhej brenda selisë.

Më pas, Berisha u largua në drejtim të Kryeministrisë ku edhe lajmëroi shpërndarjen e protestës.

Exit mobile version