Biletat e pa rinovuara të studentëve nuk vlejnë në vitin 2022, kontrollorët e NTP-së ndëshkojnë

Studentët të cilët nuk e kanë rinovuar biletën vjetore studentore, për shfrytëzim të transportit publik falas në autobusët e Ndërmarrjes për Transport Publik Shkup (NTP Shkup), nga 1 janari i këtij viti nuk kanë të drejtë t’i përdorin biletat e pa rinovuara, transmeton Portalb.mk.

Kjo është përgjigja e NTP Shkupi në pyetjen që e dërgoi “Meta.mk”, pasi tek ne arritën reagime të studentëve të cilët janë gjobitur nga kontrollorët në autobusë për shkak se ende nuk kanë arritur t’i rinovojnë biletat vjetore. Ndërsa, studentë të tjerë thonë se kanë kaluar vetëm një “paralajmërim” nga kontrollorët, por pa dënime.

Më herët, informacionin se biletat e pa rinovuara mund të përdoren falas, deri në muajin shkurt, e transmetoi Instagram profili i ”Sudentarija“, pasi përgjigje të tillë kanë marrë nga një punonjëse në qendrën e kontaktit të NTP Shkupi.

“Studentët, të cilët nuk i kanë rinovuar ende biletat “eShkupit” në NTP, mund t’i përdorin ato falas deri në shkurt”, thuhet në informacionin e shpërndarë në profilin e “Studentarija” më 5 janar.

Ajo që i hutoi më tej studentët është se vitin e kaluar NTP dy herë e shtyu afatin e zgjatjes së biletave vjetore studentore falas, fillimisht deri në shkurt e më pas deri në 31 mars, me kërkesë të Parlamentit Studentor Universitar në UKIM, e për shkak të situatës së atëhershme me kovid-19.

Këtë vit njoftim të tillë nuk kishte, ndërsa në njoftimet e NTP-së askund nuk thuhet se kur është afati për rinovimin e biletave falas.

Komunikata e fundit e NTP Shkup në të cilën përmenden biletat studentore është publikuar më 23 shtator të vitit të kaluar me titullin “Udhëzime për lëshimin e biletës vjetore studentore për përdorimin falas të transportit publik”.

Në komunikatë ndër të tjera thuhet:

“Për studentët e vitit të parë, bileta automatikisht vlen deri në fund të vitit të ardhshëm kalendarik. Studentët e tjerë, për të vazhduar vlefshmërinë e biletës për vitin 2022, duhet të dorëzojnë një vërtetim për student të rregullt jo më të vjetër se një muaj dhe të paraqesin indeksin me semestër dimëror të regjistruar”, pa e shënuar afatin e rinovimit të biletave.

Nga NTP Shkup për “Meta.mk” thonë se studentët të cilët nuk e kanë vazhduar afatin e vlefshmërisë së kartelave falas “e Shkupit” për vitin 2022, nuk mund t’i përdorin ato për transport nëpër kryeqytet.

“Çdo student kishte mjaftueshëm kohë dhe të drejtë për rinovim të biletës qysh prej para një apo dy muajsh, gjegjësisht duke e dorëzuar dokumentacionin përkatës (indeks me semestrin dimëror të regjistruar dhe vërtetim për student të rregullt, jo më i vjetër se 1 muaj). “Nuk kishte asnjë arsye të justifikueshme për të shtyrë afatin e rinovimit të biletave, siç ishte edhe vitin e kaluar”, u përgjigjën nga NTP.

Ata përkujtojnë se i vetmi dokument i vlefshëm për përdorimin falas të transportit është bileta studentore e certifikuar/e rinovuar për vitin 2022, e jo indeksi apo vërtetim për student me kohë të plotë.

Të drejtën e përdorimit të biletës studentore pa pagesë, pa kufizim moshe, e kanë të gjithë studentët e rregullt në fakultetet shtetërore në Shkup në studime deridiplomike. Studentët mund të rinovojnë vlefshmërinë e biletave të tyre në cilindo pikë të shitjes së NTP Shkup.

Ndryshe, për momentin për shkak të pushimeve dimërore nuk vlejnë, për shfrytëzim falas të transportit publik, as biletat për nxënësit e shkollave të mesme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button