Kumanovë, OJQ-të thonë se buxheti 2022 i diskriminon shqiptarët, Dimitrievski e mohon

Shoqatat jo qeveritare shqiptare për arsim, kulturë dhe sport në Kumanovë kanë reaguar ndaj votimit të buxhetit për vitin 2022 në Komunën e Kumanovës, sipas tyre, është bërë diskriminim i madh për klubet arsimore, kulturore e sportive shqiptare të cilët funksionojnë në këtë qytet. Reagimin e këtillë, kryetari i Komunës, Maksim Dimitrievski e cilëson si spekulim dhe e mohon në tërësi, duke vlerësuar se është i pa bazë, raporton Portalb.mk.

Sipas OJQ-ve, ndarja e buxhetit për kulturë, sport e aktivitete arsimore edukative në Komunën e Kumanovës është injorim total për shqiptarët, pavarësisht se edhe shqiptarët janë taksapagues.

Samet Jahii, nga Shoqata e Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri”, thotë për Portalb.mk që buxheti është skandaloz dhe është tejet diskriminues.

“Ne nuk e dimë që këshilltarët tonë shqiptarë a kanë ngritur zërin, a kanë qenë unik ndaj kërkesave tona sepse seancat nuk janë të hapura për opinionin. Ne si shoqatë kemi dorëzuar çdo vit projektet tona, por jemi përkrah vetëm me 3% të shpenzimeve, që për ne kjo përkrahje është simbolike”, thotë Jahii.

Në reagimin e përbashkët nga OJQ-të thuhet se Fondacioni për Kulturë dhe Sport është fondacion që me kompetenca të plota vendos për ndarjen e buxhetit, ky fondacion ka miratuar 23 projekte me vlerë 8.580.000 denarë, dhe sipas tyre, çuditërisht këtu nuk është asnjë projekt shqiptar.

Huzeir Mustafa, këshilltar në Komunën e Kumanovës deklaroi për Portalb.mk që buxheti është votuar nga shumica me 28 vota pro, dhe këta si pjesë e shumicës kanë votuar për këtë buxhet.

“Ne nuk mund të jemi fajtor që nuk jemi të përfaqësuar në Fondacionin për Kulturë dhe Sport sepse askush asnjëherë se ka ngritur këtë çështje. Ne nuk jemi të zgjedhur për të heshtur e as për të bërë zhurmë para kamerave”, tha Mustafa.

Agim Behluli, kryetar i shoqatës “Java Kulutore Shqiptare”, thotë për Portalb.mk që ky reagim vjen si rezultat i nevojave tona, dhe është pa motive politike.

“Kemi kërkuar që buxheti për kulturë dhe sport të ndahet në mënyrë të barabartë, dhe jo 5% për shqiptarët e 95% për të tjerët. Këshilltarët shqiptarë duhet të mendojnë mirë çfarë votojnë dhe a dëmtojnë shoqatat aktive shqiptare, por jo edhe ato pasive. Cili do këshilltar që merr iniciativë për ndryshim ne si shoqatë jemi në përkrahje, qofshin ata të opozitës apo pozitës”, tha Behluli.

Mes tjerash në këtë reagim paralajmërohet edhe për hapa më radikalë, siç thonë ato për luftimin e kësaj padrejtësie që me vite e dekada bëhet ndaj kulturës, sportit e aktiviteteve edukative arsimore shqiptare në këtë qytet.

Maksim Dimitrievski
Maksim Dimitrievski

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski i pyetur nga Portalb.mk për reagimin në fjalë, ai e cilëson si spekulim dhe e mohon në tërësi, duke vlerësuar se reagimi është pa bazë.

“Manifestimet e përkrahura nga Komuna e Kumanovës përmes sektorit kompetent, si dhe Fondacionit për Kulturë dhe Sport ofrohen për të gjithë qytetarët e Kumanovës, pa dallim përkatësie etnike, fetare, politike apo tjetër. Programet i miraton Këshilli i Komunës së Kumanovës, i cili ka edhe përbërje multietnike”, tha Dimitrievski.

Ndërsa për atë se çfarë është paraparë për kulturën shqiptare në Kumanovë për vitin 2022, ai deklaroi se janë të përfshira të gjitha aktivitetet kulturore.

“Të gjitha manifestimet kulturore të organizuara nga shoqatat qytetare shqiptare, të cilat tradicionalisht mbahen çdo vit në kuadër të programit për ngjarje kulturore, janë të përfaqësuara edhe këtë vit në program, ndër të cilat veçojmë: Ditën e Mësuesve Shqiptarë, Iftarin e përbashkët gjatë Ramazanit, Koncertin e Bajramit, Kurban Bajramin, Ditën e Alfabetit Shqip, Ditën e Flamurit Shqiptar, Javën e Kulturës Shqiptare. Gjatë përgatitjes së Programit merret parasysh përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike“, deklaroi për Portalb.mk Maksim Dimitrievski.

Shoqatat pjesëmarrëse në këtë reagim janë: Shoqata “Java Kulturore Shqiptare”, Shoqata e Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri”, Klubi i shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, Shoqëria Kulturo-Artistike “Bajram Shabani”, OH.”El-Hilal”, Klubet Sportive, të cilët në këtë reagim kanë dhënë vulat dhe nënshkrimet e tyre.

Ndryshe, Komuna e Kumanovës ka gjithsej 33 këshilltarë prej të cilëve nëntë janë shqiptarë. Ndërsa në parti politike janë të ndara kështu me radhë: 10 LSDM (një është shqiptar), 8 nga Lidhja e Pavarur për Kumanovën nga Maksim Dimitrievski (një është shqiptar), 7 VMRO, 4 nga BDI, 2 koalicioni ASH-AAA, 1 Lëvizja Besa, dhe 1 Levica.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button