Kthesë e re: Mijallkov mbetet në paraburgim
Në më pak se 12 orë, ish-kreu i DSK-së u lirua nga paraburgimi nga Gjykata e Apelit dhe më pas me kërkesë të prokurorisë i është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore Penale, por për një rast tjetër.
Ish-shefi i shërbimit sekret Sasho Mijalllkov do të qëndrojë në paraburgim edhe për së paku 30 ditë pasi sonte Gjykata Themelore Penale në procedurë urgjente e pranoi propozimin e prokurorisë. Gjykata e apelit kishte lejuar më parë lirimin e Mijallkovit me kusht, duke pranuar lirimin e tij me grarancion prej më shumë se 11 milionë euro, transmeton DW.
Prokuroria pasditen e sotme ka dorëzuar kërkesën për masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Mijallkovin, i cili akuzohet në rastin “Parcelat në Vodno”. Më pas, Gjykata Themelore Penale – Shkup shprehimisht e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Publike.
“Duke vepruar me propozimin e Prokurorisë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Sasho Mijallkovit të akuzuarit në rastin e njohur si “Parcelat në Vodno”, dhe duke pasur parasysh urgjencën e procedurës, Këshilli Penal pas pranimit të lëndës ka mbajtur seancë dhe ka miratuar vendim me të cilin pranohet propozimi i prokurorit publik dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale. Ata vlerësuan se ekzistonte rreziku i arratisjes së të pandehurit.
Ndërkaq sot paradite Gjykata e Apelit e pranoi garancinë prej 11.106.501 euro, për lirimin e Mijallkovit. Ankesa e tij është pranuar dhe vendimi për paraburgim është lehtësuar me pranimin e garancisë së pronës.
Në pranverë, Këshilli Penal në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion e refuzoi garancinë e ofruar me të cilën u pajtua prokuroria, me arsyetimin se ekzistojnë ende arsyet për të cilat ishte përcaktuar masa paraburgim, mes të cilave edhe rreziku për arrati. Prokuroria, vlerësoi se garancia është e pranueshme që të sigurohet prezenca e të akuzuarit deri në dhënien e formës së prerë të aktgjykimit.
- LEXO: Apeli nuk ia pranoi ankesën, Sasho Mijallkov mbetet në Burgun e Shutkës
- LEXO :Sasho Mijallkov do të lirohet nga paraburgimi me garanci prej 11 milionë eurove