Site icon PORTALB

Reagoi Aleanca për Shqiptarët pas vendimit për lirimin e Mijallkovit

Aleanca për Shqiptarët

Vendimi për lirimin e të dënuarit, Sasho Mijallkov, ka nxitur reagime te partia opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, transmeton Portalb.mk.

“Me vendim të Gjykatës së kapur penale, sot u la i lirë Sasho Mijallkov, partneri kryesor i regjimit aktual dhe njeriu që shkatërronte fate njerëzish dhe buxhetin e shtetit. Ky rast edhe njëherë demaskoi agjendën mashtruese evrointegruese të këtij regjimi dhe legjitimoi vlerësimet tona se ky regjim duhet të bjerë një ditë e më pare”, deklarojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ata vlerësojnë se regjimi Ahmeti-Mijallkov-Zaev vazhdon me faljen e kriminelëve, duke ju përgjigjur në formën më arrogante të mundshme qytetarëve që kundërshtojnë krimet e tyre.

“Të gjithë ata që ja zgjatën jetën këtij regjimi sot u pa se kanë kontribuar që të arrihet deri te falja e kriminelëve”, vlerësojnë nga Aleanca.

Ndryshe, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, do të lirohet nga paraburgimi pasi gjykata ka pranuar garancinë e ofruar prej 11 milionë euro. Mijallkov nga 26 shkurti është në paraburgim në burgun e Shkupit, ai u dënua me tetë vite burg për rastin “Thesar”, për furnizim të pajisjes britanike për ndjekje të komunikimit elektronik për DSK. Gjykim të shkallës së parë prej 12 vitesh burg ka edhe për rastin “Target – Fortesa” për përgjim të paligjshëm ndërsa në rrjedhë janë edhe disa lëndë të tjera për të cilat është i akuzuar.

Exit mobile version