Ushqim falas për pjesëtarët e ushtrisë, projekti do të fillojë me garnizonin në Shtip

Ushqim falas për të gjithë pjesëtarët e Armatës, njoftoi sot ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjenerali-nënkolonel Vasko Gjurçinovski. Ata njoftuan se fillimisht do të sigurohet ushqim falas për garnizonin në Shtip, e më pas edhe për pjesëtarët e tjerë të ushtrisë, transmeton Portalb.mk.

“Vitet e fundit shteti ka filluar të vlerësojë më shumë pjesëmarrjen e ushtrisë në situata krize, si situata me Covid apo përballja e zjarreve. Anëtarësimi ynë në NATO ka treguar se ne i kemi futur disa standarde në ushtri dhe nuk jemi ndalur me kaq, që vetëm shteti dhe ushtria të jenë formalisht pjesë e NATO-s”, tha Shekerinska.

Ajo theksoi se çdo vit zgjidhen problemet e pjesëtarëve të ushtrisë, si rritja e pagave, shtesat dhe sigurimi i mëditjeve.

“Dy ditë më parë nisi një projekt. Kjo është një nismë e Shtabit të Përgjithshëm, të cilën e konsiderojmë të justifikuar. Pjesëtarët e ushtrisë e meritojnë vërtet një vakt që do të jetë falas dhe do të financohet nga buxheti. Dy ditë më parë është shpallur tender, i cili ka të bëjë me sigurimin e ushqimit falas për të gjithë pjesëtarët e grupit tonë luftarak të këmbësorisë, të cilët janë të vendosur në Shtip dhe të cilin e shohim si hapin e parë për të testuar se si do të funksionojë. Synimi është që sipas planit tonë financiar në vitin 2022 të sigurojmë mbulim të plotë të kësaj dhe në vitin 2023 për të gjithë pjesëtarët e ushtrisë”, tha Shekerinska.

Ajo tha se ky është një shans për kompanitë vendase që t’i ofrojnë ushtrisë ushqim për gjithë vitin.

“Në fillim të këtij viti, Shtabi i Përgjithshëm nisi një projekt për ushqim falas për çdo pjesëtar të Ushtrisë dhe pati një mirëkuptim të plotë nga Ministria e Mbrojtjes. Na u mundësua që të krijojmë të gjitha nevojat normative dhe ta nisim nga fillimi i vitit 2022. Do të fillojmë nga garnizoni i Shtipit, ku është bërthama e grupit luftarak të batalionit. Presim që deri në fund të vitit 2022 të realizohet me sukses dhe në vitin e ardhshëm 2023 do të sigurohet ushqim falas për të gjitha garnizonet dhe të gjithë të punësuarit”, tha gjenerali-nënkolonel Vasko Gjurçinovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button