Site icon PORTALB

Kongresi i parë i VMRO – DPMNE-së në Shkup: Mickoski para rizgjedhjes

Hristijan Mickoski

Hristijan Mickoski

Hristijan Mickoski është para rizgjedhjes në krye të VMRO – DPMNE-së, në kongresin e sotëm zgjedhor partiak në sallën “Jane Sandanski” në Shkup. Për herë të parë pas tre dekadave, partia mban kongres në kryeqytet, për dallim nga katër vite më parë, kur Mickoski ishte zgjedhur në funksion në kongres të jashtëzakonshëm të partisë në Vallandovë, transmeton Portalb.mk.

Mickoski është i treti në krye të VMRO – DPMNE-së, pas Lupço Georgievskit dhe Nikolla Gruevskit.

Georgievski ishte kryetar i VMRO – DPMNE-së në periudhën 1991 – 2002, kur dha dorëheqje për shkak të disfatës në zgjedhjet e atëhershme parlamentare. Më pas, Georgievski e formoi VMRO-NP, e cila sot është pjesë e koalicionit të LSDM-së.

Gruevski është i dyti në krye të VMRO – DPMNE-së, i cili për herë të parë u zgjodh në kongresin në Ohër në vitin 2003. Kah fundi i vitit 2017 ai dha dorëheqje, pas arrestimeve për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit të njëjtë.

Katër vitet e para si lider, Mickoski i kaloi në opozitë, duke i humbur zgjedhjet presidenciale në vitin 2019 dhe zgjedhjet e vitit të kaluar parlamentare. Kundërshtimet e tij në marrëveshjet bilaterale që i nënshkroi Qeveria me Greqinë dhe Bullgarinë, si dhe disfatat zgjedhore, sollën në formimin e më shumë rrymave në VMRO – DPMNE, të cilët disa herë kërkuan reforma në parti dhe dorëheqje të Mickoskit.

Megjithatë, rezultatin që e arriti VMRO – DPMNE në zgjedhjet lokale në tetor të këtij viti, duke marrë më shumë vota, i përforcoi pozicionet e Mickoskit në parti, përderisa kundërshtari i tij kryesor në katër vitet e kaluara, kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dha dorëheqje, kështu që sot do të zgjedhet edhe pasardhësi i tij në partinë në pushtet.

Mickoski edhe në kongresin e 17-të të VMRO – DPMNE-së është kandidati i vetëm për lider.

VMRO – DPMNE paralajmëroi edhe ndryshime të mëdha kadrovike dhe doktrinë të re, pas kongresit që sot do të përfundojë me rizgjedhje të Mickoskit. Nga partia paralajmëruan edhe se, nuk do të nënshkruajnë dhe të mbështesin marrëveshje me Bullgarisë që do të dilte nga korniza e Rezolutës së votuar në korrik të këtij viti në Kuvendin për linja të kuqe në negociatat.

 

Exit mobile version