Çeplendisja e Palo “Krijuesve”
Krijuesit e mirëfilltë (të të gjitha llojeve të krijimtarisë) janë pasqyra e shpirtit të një etnie! Nëse do të kishte gojë pasqyra, pas çdo avullimi apo pluhurosje, do të çirrej me këmbëngulje që të pastrohet. Pasqyra e avulluar dhe e pluhurosur nuk i hy në punë askujt!
Krijuesit e një kombi, ata që përfaqësojnë vlerat më të larta të tij, “shkunden”, çlirohen nga mjegullnajat, nga avujt apo pluhuri, vetëm përmes kritikës, e cila është në funksion të “leckës magjik” që pastron dhe merr pluhurin, që ndrit e që i jep shkëlqim vlerave të mirëfillta. Kështu duhet të kuptohet çdo kritikë objektive!
Pse aktivitetet krijuese i nënshtrohen kritikës? Pse përgjumja e krijuesve fshikullohet me kamxhikun e kritikës! Dy janë arsyet: të ngritën vlerat në maje të obeliskut kulturor, dhe të mbajë “zgjuar” përjetë krijuesin i cili si një Demijurg i patundur i bën ballë stuhive të pushtetit! Nëse pushteti është më i fuqishëm se krijuesi, atëherë është kritika që i bëhet arma shkatërruese kundër pushtetit! Krijuesi dhe pushteti duhet të jenë “në armiqësi” të përjetshme me pushtetin që e ndjell joshjen!
Krijuesit tanë, shpesh dinë ta ngrenë hundën përpjetë, madje edhe të shpallin armik të popullit kritikun, i cili mundohet ta zgjojë nga kllapia që e ka pllakosur tymosja e “barit” të pushtetit! Kritika nuk bëhet për ta denigruar krijuesin, nuk bëhet për ta varrosur vlerën, nuk bëhet për ta paralizuar artistin, shkrimtarin, piktorin, kompozitorin, këngëtarin etj. Nëse ka një “kritikë” të tillë, atëherë vërtet që kemi të bëjmë me një armik të popullit!
Kur hesht një krijues? Kur shteret produktiviteti i tij? Fundja, pse ndodhë një fenomen i tillë me krijuesin? Është vërtetuar katërcipërisht se ky “ilet” e kaplon krijuesin vetëm atëherë kur nis e joshet nga “të mirat” e pushtetit! E shet shpirtëroren për një të mirë nga pushteti! Kjo e mirë nuk është asgjë tjetër përveçse “pluhur syve”, të cilën ia fshinë vetëm kritika!
Gjithsesi, krijuesit janë vlerë kombëtare dhe ata nuk “guxon” t’i kritikojë askush të cytur nga një faktor me tendenca për ta njollosur Demijurgun! Nëse edhe mediokrët, pseudointelektualët, ata me prirje arriviste e pa kurrfarë talenti, pretendojnë të rreshtohen krah krijuesve si vlerë kombëtare, atëherë është kritika ajo që i përjashton, që e ruan pastërtinë e figurës së krijuesit kombëtar! Kritika nuk mund të heshtet as me kërcënime, as me telefonata, as me sharje, as me kërcënime me “forcën e pushtetit”, as me hatër miqësie, as me oferta për përfshirje në “komunitete krijuese” provinciale dhe me asgjë! Kritika e mirëfilltë këto përpjekje të palo “krijuesve” nuk i llogarit asgjë tjetër, përveçse ftesë në çeplendisje me fara kungulli përballë pasqyrës së pluhurosur që na lumturon për faktin se nuk na e pasqyron mjerimin shpirtëror!
Kritika nuk pranon çeplendisje, kritika pastron, kritika është “ashensor fantomik” që ka vetëm sustën e ngritjes së vlerave të kombit në piedestalin e të pavdekshmëve.
Burimi: HEJZA