Komisioni për Kodrën e Diellit nuk është funksional siç pretendon ministri Kreshnik Bekteshi

Mbajtja e një mbledhjes nuk e bën punën Komisionit për Kodrën e Diellit të suksesshme dhe funksionale, edhe pse kështu pretendon ministri i Ekonomisë në RVM, Kreshnik Bekteshi. As edhe dërgimi i emaileve mes një rrethi të ngushtë të personave që miratojnë idetë e njëri-tjetrit. Qëllimi i këtij komisioni, sipas asaj që vetë ministria u zotua, ishte që gjithë palët relevante të japin propozime për fatin e Kodrës së Diellit, dhe jo të shndërrohet në grup të mbyllur jotransparent. Nga nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”,  Komuna e Tetovës, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe vetë koordinatori i këtij komisioni nga Ministria e Ekonomisë konfirmojnë për Portalb.mk se deri më tani përfaqësuesit e tyre kanë marrë pjesë vetëm në një mbledhje, shkruan Portalb.mk

Komisioni për Kodrën e Diellit është i themeluar nga Ministria e Ekonomisë dhe bazohet në disa pika kryesore. Ky komision duhet të jep propozime për fatin e Kodrës së Diellit, gjegjësisht, për mënyrën se si do të funksionoje kjo qendër turistike, a do të shitet plotësisht apo pjesërisht, përpilimi dokumentacionit dhe kritereve për partnerin privat dhe një sërë kompetencash tjera sa i përket qendrës turistike “Kodra e Diellit”.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi të mërkurën tha se Komisioni i formuar për zhvillimin e Kodrës së Diellit është në funksion dhe ka rregullisht mbledhje edhe përkundër pyetjes gazetareske se pse nuk funksionon ky komision?

“Përkundrazi komisioni është funksional. Marrë parasysh edhe OJQ-të janë pjesë e komisionit. Pra, me interesin e tyre janë të përfshirë drejtpërdrejt në dhënien e ideve dhe të propozimeve për zhvillimin sa më të qëndrueshëm të Kodrës së Diellit në veçanti. Në bazë të informatave që i kam nga sektori i turizmit në Ministrinë e Ekonomisë, por edhe nga menaxhmenti i Elem Turs. Në kontinuitet mbahen mbledhjet, ku analizohen të gjitha mundësitë dhe pikërisht këto investime të cilat sot i promovoj, janë në kuadër të ideve, propozimeve të cilat dalin nga komisioni i cili para disa muajve pra edhe ka qenë në fuqi.” tha Kreshnik Bekteshi.

Madje, edhe drejtori i Elem-it, Adem Avziu për Portalb.mk tha se kanë mbajtur disa mbledhje me atë komision.

Të tjerët e demantojnë

Hamdi Sulemani nga nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” demantoi deklaratën e ministrit duke u shprehur se Komisioni ka thirrur vetëm një mbledhje me datë 22 janar 2021.

“Ne disa here jemi drejtuar me email , me letër dhe në komunikim direkt me Ministrinë e Ekonomisë, pse nuk funksionon i njëjti dhe ende nuk kemi përgjigje.” tha Hamdi Sulemani i cili edhe më herët kishte deklaruar këtë për Portalb.mk.

Koordinatori i Komisionit për Kodrën e Diellit, Bekim Haxhiu nga Ministria e Ekonomisë për Portalb.mk tha se mbledhje fizike kanë mbajtur vetëm një duke shtuar se kanë pasur ‘koordinim’ në aspektin online.

“Kishim koordinim por shkaku i pandemisë më shumë kemi pasur koordinim në aspektin online, ose përmes emailit, na ka informuar drejtori i Elemit çka është bërë si është bërë, ne kemi informuar për aktivitetet tona që janë në Qeveri. Mbledhje fizike nuk kemi mbajtur shkaku i pandemisë mirëpo koordinim kemi pasur gjatë gjithë kohës.” tha Bekim Haxhiu.

Ndërkaq i pyetur për atë se a kanë qenë pjesëmarrës edhe anëtarët tjerë në këtë proces si nga nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Ministria e Ekologjisë, Ministria e Bujqësisë dhe të tjerët, Haxhiu tha se gjithmonë në CC kanë qenë edhe ato.

“Informatat që është dashur ti kenë ato kanë qenë të përfshirë në cc. Ose atyre nëse ju ka interesuar diçka gjithmonë kanë marrë përgjigje prej të gjithëve në atë aspekt. Çka është dashur të shpërndahet është shpërndarë te të gjithë.” tha Bekim Haxhiu.

Ndërkaq i pyetur për atë se përse nuk i kanë kthyet përgjigje emailit nga nisma “Ta shpërtojmë Kodrën e Diellit”, Haxhiu tha se gjithmonë ka janë përgjigjur prej anës së tyre.

Në këtë komision ka anëtar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku nga atje konfirmojnë për Portalb.mk se deri më tani është mbajtur vetëm një mbledhje.

“Drejtori i Drejtorisë së Mjedisit, Hisen Xhemaili, është anëtar i Komisionit për Kodrën e Diellit. Komisioni deri më tani ka mbajtur një mbledhje.” thanë nga Ministria e Mjedisit.

Pjesë e këtij komisioni ishte edhe Dritan Ramadani nga Ministria e Bujqësisë i cili për Portalb.mk tha se vetëm një mbledhje është mbajtur dhe nuk është ftuar më si komision.

“Mbeti që koordinatori i komisionit të na ftojë por ai nuk na ftoi më.” tha Dritan Ramadani.

Nga udhëheqsia e re e Komunës së Tetovës thanë se në bazë të informacioneve që kanë Komuna e Tetovës nuk ka përfaqësues në Komisionin për Kodrën e Diellit.

“Ne si udhëheqësi e re e komunës ende nuk kemi evidentuar, duke u bazuar në dokumentacionet që posedojmë se ka pasur ndonjë person të autorizuar në këtë komision. Që nga momenti kur do të kemi person të emëruar zyrtarisht me kohë do të informohet opinioni.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndërsa nga nga Komuna e Tetovës ka qenë Drita Abdiu Halili, por e njëjta ka qenë vetëm në një mbledhje dhe nuk përgjigjet në pyetjet e redaksisë.

Anëtar në këtë komision ka edhe nga Agjencioni për Zhvillim të Turizmit, Aleksandar Gjeorgjievski, dërguam pyetje edhe te ky agjencion për rastin në fjalë por përgjigje nuk kemi deri tani.

Ndërkaq, një nga kompetencat kryesore të këtij komisioni do të jetë edhe përpilimi i dokumentacionit tenderik dhe kriteret e ndryshme në lidhje me shitjen e tërësishme apo të pjesshme të qendrës turistike “Kodra e Diellit”.

Ndryshe, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi të mërkurën deklaroi se veç më kanë marrë oferta për zhvillimin e Kodrës së Diellit dhe të njëjtat po i shqyrtojnë. Ai njoftoi se bëhet fjalë për, oferta për partneritet publiko – privat edhe për oferta të tjera, ndërsa sipas tij, paralelisht me procedurën e zgjedhjes së ofertave, po investohet nga ana e Qeverisë dhe menaxhmentit. Por duke mos dhënë detaje për të konkrezituar ato që tha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button