Qeveria edhe formalisht mbeti pa Lëvizjen Besa dhe pa ministër të Bujqësisë

Kuvendi sot në fillim të seancës së 54 konstatoi dorëheqjet e ministrit të Bujqësisë dhe të zëvendësministrave të Arsimit dhe Kulturës, transmeton Portalb.mk.

U konstatuan dorëheqjet e ministrit, Arjanit Hoxha, zëvendësministrit të Arsimit, Arafat Shabani dhe zëvendësministrit të Kulturës, Sedat Sulejmani.

Me këtë, Lëvizja Besa edhe zyrtarisht nuk është më pjesë e Qeverisë së Zaevit. Ndërsa si opozitë do të funksionojnë edhe në Kuvend. Këtë e konfirmoi për Portalb.mk deputeti i kësaj partie, Fadil Zendeli. I pyetur nëse po zhvillohen negociata me kryeministrin Zoran Zaev, për t’iu ribashkuar shumicës parlamentare, pasi ky i fundit pretendon se shumica parlamentare, ka mundësi të rritet në 66, ai tha se nuk kontaktojnë fare me Zaevin.

“Jemi deklaruar ne që moti se jemi në opozitë. Ne as që kontaktojmë me Zaev, nuk ka negociata. Ato janë deklarata politike të tij për të mobilizuar njerëzit, nuk ka asnjëfarë kontakti, asnjë farë komunikimi”, deklaroi Zendeli.

Kujtojmë se, Hoxha, Shabani dhe Sulejmani dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre më 11 nëntor, pas situatës së krijuar pas zgjedhjeve lokale, kur BDI dërgoi ankesë në KSHZ në lidhje me një vendvotim në Komunën e Zhelinës, ku kishte fituar kandidati i Lëvizjes BESA. KSHZ vendosi që të ketë rivotim në këtë vendvotim dhe pas kësaj, Hoxha paralajmëroi se partia të cilit i përket do të del nga Qeveria. Edhe pse më pas, gjykata hodhi poshtë vendimin e KSHZ-së, ministri dhe dy zëvendësministrat e kësaj partie megjithatë dhanë dorëheqjen e paralajmëruar.

“Ashtu siç e kam paralajmëruar nga java e kaluar që për shkak të cenimit të demokracisë në zgjedhjet lokale nga një pjesë e këtij pushteti me në krye me zëvendëskryeministrin nga BDI ku u cenua e drejta e demokracisë në vend me metoda manipuluese, që vazhdojnë për fat të keq edhe gjatë ditës së djeshme, që ishte dita më e turpshme ë këtij vendi, unë jap dorëheqje nga pozita e ministrit së bashku me dy zëvendësministrat në Qeveri, pasi që nuk mund të identifikojmë veprimin tonë të Lëvizjes Besa me një partner të koalicionit, i cili po shihet qartë se përdor çdo veprim jodemokratik me të vetmin qëllim, mbetjen në pushtet. Vendimi për dorëheqje është akt moral, por edhe duke respektuar organet partiake të Lëvizjes Besa”, deklaroi Hoxha më 11 nëntor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button