RMV, diskutim për luftën kundër korrupsionit: Qytetarët vlerësojnë se ligjet, rregullat dhe procedurat nuk vlejnë për personat e fuqishëm
Marija Micevska nga Fondacioni Shoqëri e Hapur, duke prezantuar rezultatet e një hulumtimi të realizuar me qytetarët në temën e korrupsionit, ka thënë se, te qytetarët tanë ekziston perceptim se partitë politike janë aktorë shumë të fuqishëm dhe kështu proceset, rregullat, strukturat i neglizhojnë në llogari të individëve, përfaqësues të partive që janë në krye të institucioneve, shkruan Portalb.mk.
Sipas këtyre rezultateve, në përgjithësi, qytetarët vlerësojnë se ekzistojnë, ligje, rregulla dhe procedura por ato, nuk respektohen kur janë në pyetje persona të fuqishëm.
“Qytetarët kanë ndjesi pozitive të qartë për rëndësinë e sistemeve publike, këtu flasim për arsim, shëndetësi, drejtësi dhe se të njëjtit kanë rol të rëndësishëm në jetën e tyre dhe gjithashtu janë të vetëdijshëm se sistemet jofunksionale kanë ndikim negativ ndaj komunitetit të tyre. për qytetarët tanë korrupsioni i lartë nuk është normal, nuk është i arsyeshëm, për dallim nga mitmarrja dhe korrupsioni i ulët. Kështu që, kur persona të fuqishëm i keqpërdorin pozicionet e tyre për pasurim personal, ajo vlerësohet si sjellje e papranueshme. Qytetarët përgjithësisht vlerësojnë se lidhjet e mitmarrjes janë të gabuara në një farë mënyrë, por i shohin si përgjigje e kuptueshme e sistemeve jofunksionale”, tha Micevska gjatë diskutimit “Vizioni për luftën kundër korrupsionit – cilat janë sfidat kryesore në vitin 2022”.
Në këtë diskutim kanë marrë pjesë përfaqësues të platformës së organizatave qytetarë për luftë kundër korrupsionit, të cilët folën për atë se çfarë duhet të bëhen në vitin e ardhshëm nga ana e institucioneve kompetente në këtë fushë.
German Filkov nga Qendra për Komunikime Civile tha se, që të ketë punë efikase në luftën kudër korrupsionit, institucionet duhet të përgatisin plane për luftë kundër korrupsionit. Ai po ashtu u shpreh se, të paktën në vitin 2022, na nevojitet që të fillojmë që aksionet t’i planifikojmë me qytetarët në vend që për qytetarët.
“Kemi dy dokumente të qarta. Dokumenti i parë është strategjia nacionale për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit dhe dokumenti i dytë është plani qeveritar për luftë kundër korrupsionit. Këto dy dokumente mendoj se janë njëfarë kornize për atë se çfarë duhet të bëhet edhe pse, normal lista nuk është përfundimtare, por të paktën janë mes dokumenteve të rralla gjithëpërfshirëse të cilat kanë të bëjnë me vitin 2022. Mendoj se duhet që ligjet t’i lëmë pak anash, jo në kuptim që të mos i respektojmë, por të shkojmë më larg nga ligjet dhe të vijmë deri te integriteti i personaliteteve dhe institucioneve, sepse mendoj se vetëm në atë mënyrë mund të luftojmë kundër korrupsionit, fillimit ta parandalojmë dhe më pas të luftojmë kundër saj”, tha ai.
Natali Petrovska nga koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta tha se, lufta kundër korrupsionit duhet të përfshijë vullnet të fortë nga ana e bartësve të tre pushteteve në shtet, të ndërmarrin gjithçka që është në fuqinë e tyre dhe në kompetenca që të kontribuojnë në përballje të suksesshme me këtë fenomen, si dhe institucione efikase për luftë kundër korrupsionit.
“Me qëllim që të zbatohet luftë efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është e domosdoshme që për fillim shteti të sigurojë mjete të mjaftueshme financiare që institucionet kompetente për ndjekje të mund të veprojnë në kapacitetin e tyre të plotë. Kjo nënkupton sigurimi i numrit adekuat të resurseve njerëzore në institucionet, ndërsa shembull për këtë nënkupton plotësimi i kapaciteteve të prokurorive publike në shtet. Prioritet i këtij institucione është sigurimi i numrit adekuat të prokurorëve, funksionimi i qendrave hetuese të cilat në këtë moment janë vetëm në 5 përqind të prokurorive dhe të cilat edhe pse janë operative, nuk i kanë kapacitetet e plota, si shpërndarja adekuate e mjeteve të buxhetit për punë operative të prokurorisë, përkatësisht tendencë për arritje të asaj që është e përcaktuar me ligj si përqindje e buxhetit”, tha ajo.