Qyteti i Shkupit hesht për zhvillimin e rrjetit për ujë të ngrohtë, Rregullatori ka propozim

Administrata e re e qytetit pothuaj një muaj nuk iu përgjigjet pyetjeve nga Meta.mk lidhur me zhvillimin e ardhshëm të rrjetit për ujë të ngrohtë në Shkup. Në korrik të vitit 2019, Qeveria mori vendim që Qytetit të Shkupit t’ia jep në shfrytëzim të përhershëm rrjetin për ujë të ngrohtë, me të cilin do të menaxhonte kompania e sapoformuar për shpërndarje të energjisë së nxehtësisë dhe gazit “Sistemi energjetik i qytetit” (SEQ), transmeton Portalb.mk.

Pas më shumë se dy vite, Komisioni Rregullator Energjetik (KRRE) thotë se rezultat i kësaj procedure është refuzim i kërkesës për licencë të shpërndarjes së ngrohjes nga ndërmarrja publike e qytetit.

“Vendimi përfundimtar i KRRE-së është në procedurë administrative. SHA SEQ Shkup ka iniciuar kontest kundër aktvendimit për refuzimin e kërkesës. KRRE ende nuk e ka pranuar aktgjykimin për këtë rast”, kanë thënë nga Komisionin Rregullator Energjetik.

Edhe gjatë sezonit të ngrohjes në vijim nuk do të realizohet që ndërmarrja e rrjetit për ujë të ngrohtë nga Qyteti i Shkupit nga furnizuesi aktual “Shpërndarja e nxehtësisë Ballkan Enerxhi SHPLNJ” (DTBE).

Megjithatë, për atë se çfarë aktivitetesh planifikon të ndërmarrë kryesia e re e qytetit, e udhëhequr nga kryetarja Danela Arsoska, kemi bërë pyetje qysh në mes të nëntorit. Pyetjet që i parashtruam kanë të bëjnë me atë nëse Qyteti i Shkupit planifikon të fillojë me menaxhimin e rrjetit për shpërndarje të nxehtësisë dhe nëse ka ndonjë afat konkret se kur do të ndodhë kjo.

Ne gjithashtu e pyetëm qytetin e Shkupit se çfarë planifikon të bëjnë autoritetet e qytetit për të bashkuar tre sistemet e ngrohjes qendrore, të cilat aktualisht funksionojnë si BEG, ESM-Energjetika dhe Shkupi Veri veç-e-veç në kryeqytet. As për këtë pyetje nuk morëm përgjigje.

Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se deri më tani kanë dhënë rekomandime konkrete për prodhim dhe shpërndarje më efikase dhe konkurruese të nxehtësisë në kryeqytet.

“KRRE në takimet me furnitorët vazhdimisht e ka ngritur temën me rekomandim që furnitorët Shkupi Veri dhe ESM Energjetika të shqyrtojnë mundësitë për bashkëpunim mes dy kompanive që sistematikisht të tejkalohen sfidat që prodhimtarinë do ta bënin optimale dhe do të rritej konsumi”, thonë për Meta.mk nga KRRE, duke shtuar se megjithatë bëhet fjalë për kompani që kanë autonomi në marrjen e vendimeve afariste.

Nga ESM-Energjetika në periudhën e kaluar kanë punuar në zgjerimin e rrjetit për ujë të ngrohtë në vendbanimet e Shkupit Hipodromi 1 dhe 2, me qëllim që rreth 1000 amvisëri nga vendbanimet Hipodromi 1 dhe 2 në Komunën e Gazi Babës të kyçen në ngrohjen qendrore. Kjo kompani ka zhvilluar edhe projekte për rindërtimin dhe zgjerimin e rrjetit, për ujë të ngrohtë në Autokomandë dhe Hekuranë, por deri më tani nuk ka njoftim për bashkimin e sistemit të shpërndarjes me atë të ndërtuar tashmë në komunat Çair dhe Butel, ku aktualisht funksionon Shkupi Veriu.

Dështimi për të përmbushur premtimet e bëra në vitet e fundit për zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së ngrohjes dhe mungesa e lidhjes ndërmjet tre sistemeve të ndryshme, mund t’u kushtojë më së shumti përdoruesve të ngrohjes qendrore në Shkup, veçanërisht në vazhdën e krizës globale energjetike, gjë që mund të çojë në rritje të faturave për ngrohje vitin e ardhshëm.

Nga KRRE nuk na dhanë të dhëna konkrete se sa do të shtrenjtohet ngrohja qendrore duke filluar nga viti i ardhshëm, duke bërë të ditur se vendimet të cilat do t’i marrin do të bazohen në metodologjitë evropiane që pasqyrojnë çmimet e gazit natyror në bursë. Komisioni Rregullator i Shërbimeve Energjetike dhe të Ujit (KRRE) në korrik të këtij viti mori vendime me të cilat ulen mesatarisht 4 për qind çmimi përfundimtar i energjisë termike të dorëzuar te tri kompanitë në territorin e qytetit të Shkupit.

Ndërkohë, çmimi i gazit në bursat evropiane në muajin e kaluar disa herë e ka tejkaluar kufirin prej 1000 dollarë për një mijë metra kub, përkatësisht ky shtrenjtim drastik mund të rrisë faturat për ngrohje qendrore në Shkup.

“KRRE nëpërmjet aktiviteteve të saj inicion që t’u ndihmohet atyre që kanë më së shumti nevojë, e ato janë kategoritë e rrezikuara dhe lista aktuale me kategori të përdoruesve të shtohet”, sqaron shkurt KRRE për mundësinë e rritjes së çmimit të ngrohjes qendrore.

Në Shkup aktualisht janë të kyçur rreth 60.000 konsumatorë, në tri sistemet e ngrohjes qendrore, ndërsa për një vit numri i përdoruesve të rinj është pothuajse 2.000, sqarojnë nga KRRE.

Megjithatë, ata nuk mund të shpjegojnë në detaje nëse rritja e çmimit të ngrohjes qendrore mund të ndikojë që disa konsumatorë të heqin dorë nga shërbimet e furnizuesve të ngrohjes, pra të kalojnë dhe për ngrohje të përdorin energji elektrike, druve të zjarrit apo energjisë tjetër.

“E udhëhequr nga parimet për sektor energjetik efikas, konkurrues dhe financiarisht të qëndrueshëm, KRRE do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm kur të merr vendime, që të mos stërngarkojë një sistem energjetik, si pasojë e mbylljes së një sistemi tjetër. Funksionaliteti i të gjitha sistemeve energjetike është prioriteti kryesor për furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji”, thonë nga KRRE.

Nëse numri i përdoruesve të ngrohjes qendrore do të rritet apo ulet, si dhe ritmi i zhvillimit të rrjetit shpërndarës të ngrohjes në Shkup, nuk është temë që lidhet vetëm me lartësinë e faturave që do të pranojnë qytetarët, por edhe me ndotjen e ajrit në kryeqyteti.

Shkupi prej vitesh po përballet me ditë kur ka ndotje jashtëzakonisht të lartë të ajrit e deri më tani disa studime kanë konstatuar se ngrohja e objekteve është burimi kryesor i ndotjes, për shkak të përdorimit të druve të zjarrit të lagësht, derivateve të naftës dhe mbetjeve të llojeve të ndryshme, të cilat helmojnë qytetarët.

Komunat e Shkupit, si Gjorçe Petrovi, Saraji dhe Shuto Orizari, nuk kanë fare qasje në tre sistemet e ngrohjes qendrore, që do të thotë se qytetarët dhe kompanitë në këto pjesë të Shkupit përdorin burime të tjera energjetike për ngrohje gjatë sezonit për ngrohje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button