Mostransparenca e Bankës Evropiane të Investimeve dhe projekteve në Ballkan
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.
Një lajm i publikuar para pak kohësh – se Banka Evropiane e Investimeve (BEI) e ka miratuar politikën e re për transparencë – nuk do të ishte lajm nëse kësaj nuk do t’i paraprinte një debat i nxehtë mbi mostransparencën e këtij institucioni financiar të BE-së. Për fat të keq, ky lajm nuk sjell lajme të reja – politika e re e transparencës e BEI në fakt e konfirmon mostransparencën e vjetër.
Pas këtij lajmi, pasuan reagime të shumta për mos pranimin e propozimeve që, në mars të vitit 2021 në procesin e konsultimeve publike për politikën e transparencës së BEI-së, i dhanë 43 organizata joqeveritare – nga shtetet anëtare, por edhe nga vendet që pranojnë ndihmë. Përveç qasjes më të madh në informacione dhe punë publike të organeve të BEI, ata kërkuan transparencë më të madhe të tërë ciklit të projektit dhe publikim me kohë të informatave, si dhe publikim të të dhënave të rëndësishme për shoqërinë dhe mjedisin jetësor.
Me këtë problematikë, në disa lëndë që janë mbyllur në vitin 2020, u mor edhe Ombudsmani Evropian, por kritikët venë në dukje se në dokumentin e ri të transparencës BEI i shpërfill këto rekomandime.
Politika e vjetër-e re për transparencë e BEI nuk i merr në konsideratë as rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Evropian nga viti 2020, me të cilën kërkohet transparencë më e madhe e Bankës, veçanërisht në sistemin e negociatave – nën-kontraktimit, zbulimit të informacioneve të monitorimit dhe vlerësimit, si dhe përzgjedhjes së projekteve. Parlamenti Evropian ka theksuar se BEI duhet të përshtatë politikën e saj të transparencës me obligimet e saj shoqërore dhe obligimet ndaj mjedisit jetësor dhe klimës.
Sipas Benkuoç (Bankwatch rrjet i OJQ-ve të Evropës Qendrore dhe Lindore që i monitoron projektet e financave publike), BEI me politikën e tillë nuk i respekton standardet e transparencës që është e pranuar ndërkombëtarisht për bankat e ngjashme.
Një prej vërejtjeve kryesore është se BEI ende nuk e ka për obligim të zbardhë kreditë nën 50 milionë euro që ajo i jep përmes institucioneve financiare ndërmjetëse. Sipas Euobserver, deri në vitin 2020, një e treta e portofolit të BEI përbëhej nga linja kreditore ndërmjetësuese financiare “të fshehura plotësisht nga opinioni publik”. Duke i konsideruar këto projekte si projekte me “rrezik të ulët”, BEI ua lë ndërmjetësve – bankave tregtare, fondeve investuese apo bankave shtetërore – të publikojnë ose jo informacione rreth tyre.
Mbase ky lajm nuk do të ishte interesant për ne nëse nuk do të ishte një hulumtim i Benkuoç, i vitit 2017, që i përfshin institucionet ndërmjetëse, të cilat kanë plasuar fonde të BEI për hidrocentralet në vendet e Evropës Juglindore (ka janë përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia, Sllovenia dhe Bullgaria).
Asnjë nga institucionet ndërmjetëse të kontaktuara, që konfirmuan se kishin përdorur fonde të BEI nuk i kanë publikuar të dhënat për fondet e përdorura në ueb-faqet e tyre, ndërsa disa e injoruan hulumtimin. Për më tepër, hulumtimi i Benkuoç tregon se kreditimet e tilla mbështesin projekte me rrezik të lartë, duke përfshirë projekte hidroenergjetike të vogla në zona të ndjeshme (parqe kombëtare, zona të mbrojtura, etj.) në Evropën Juglindore. Vetëm të përkujtojmë vetëm se organizatat joqeveritare nga Maqedonia, që veprojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor , si Eko-vetëdija (Eko-svest), Front 21/42 e të tjera, shpesh së bashku me organizatat joqeveritare evropiane në këtë fushë, angazhohen për ndërprerjen e financimit të hidrocentraleve të vogla dhe fondeve e reja të orientohem në burimet e rinovueshme të energjisë që nuk kanë ndikim negativ mbi natyrën.
Nëse projektet që BEI i plason në rajon, në vlerë më të vogël se 50 milionë euro, janë para të vogla për BEI, të cilat nuk ka detyrim t’i publikojë, sigurisht që nuk janë para të vogla për vendet e rajonit. Sepse, sipas rregullit, nuk bëhet fjalë vetëm për para të BEI, apo institucioneve të tjera financiare dhe donatorëve, por bëhet fjalë për konstruksion financiar në të cilin sigurisht marrin pjesë edhe vendet e rajonit. Fundja, nuk bëhet fjalë vetëm për shumën e parave, por për parimin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj mjedisit dhe shpenzimit të fondeve. Natyrisht, ne nuk mund të qëndrojmë të shurdhër dhe të presim që paratë evropiane të sigurojnë automatikisht transparencë dhe llogaridhënie. Do të duhet vetë ta kërkojmë atë.