Urgjentisht duhen parkingje të reja për të liruar komunikacionin në Tetovë, Kasami s’e mbajti premtimin

Mungesa e parkingjeve të mjaftueshme për çdo ditë shkakton rrugë dhe trotuare të bllokuara në Tetovë. Policia i gjobit qytetarët që parkohen gabimisht, por megjithatë kjo nuk i largon pamjet e rrëmujave të përditshme në Tetovë. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nuk e mbajti premtimin se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë. Kaosi vazhdon, parkingje të reja ende s’ka, pagesa për parkingjet u rikthye, shkruan Portalb.mk.

Në Tetovë veturat gjenden të parkuara kudo, në trotuare, anash rrugëve ku nuk ju lejohet, në mes të rrugëve, me raste edhe në rreth-rrotullime dhe hapësira të tjera ku nuk u lejohet, madje edhe në urra. Për këtë të fundit reagoi aktivisti Ngadhnjim Mehmeti, i cili thekson se në Tetovë e shëmtuara është normalizuar në nivele së skajshme.

“Parkimi i veturave mbi urë tejkalon çdo logjikë dhe sens përgjegjësie. Nuk mund të paramendohet që urat të mbingarkohen me pesha të rënda me orë të tëra, edhe atë para stacionit policor. Policia e trafikut nuk reagon. Dikush thotë që edhe vetura të policëve janë parkuar aty. Kultura e pandëshkueshmërisë ka arritur nivelet më të larta si asnjëherë më parë. Këto janë shenja serioze për mungesë të emancipimit dhe qytetarisë në një shoqëri.” tha Ngadhnjim Mehmeti.

Portalb.mk kontaktoi me Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë për të parë se a i gjobitin këto vozitës të cilët parkohen ilegalisht nëpër qytet, nga atje njoftuan se në 11 muajt e kaluar nga ana e zyrtarëve policorë të SPB Tetovë, gjegjësisht Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor janë shqiptuar gjithsej 1,609 sanksione për parkim të gabuar ose të kundërligjshëm dhe 1296 vërejtje me shkrim.  Nga gjithsej automjetet e sanksionuara, përkatësisht, 1,262 automjete janë marrë nga shërbimi merimangë i Tetovës dhe janë transferuar në lokacionin e destinuar për atë qëllim.

“Shumica e automjeteve të sanksionuara kanë qenë të parkuara në mënyrë të paligjshme në zona të trafikut publik, trotuare, zonë kryqëzimi, korsi, si dhe vende të tjera parkimi të paligjshme. Sipas informacioneve nga puna e përditshme, problemi me parkimin, sipas qytetarëve, më së shumti vjen si pasojë e mungesës së hapësirës së mjaftueshme për parkim të automjeteve, jo vetëm në zonën qendrore, por në përgjithësi, e veçanërisht pranë institucioneve publike, si për shembull shkollat, institucionet shëndetësore dhe objektet tjera me karakter publik, që si problem është në kompetencë të drejtpërdrejtë të vetëqeverisjes lokale. Arsyeja është më shumë se numri total i automjeteve është rritur ndjeshëm me tendencë për t’u rritur edhe më shumë.” tha Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë.

Nëse shihet ligjërisht, parkimi i veturave edhe përgjatë bulevardeve nuk është i lejuar. Për këtë Komuna duhet të sigurojë zgjidhje alternative që janë parkingjet. Ndërkaq në Tetovë veturat parkohen anash rrugëve përgjatë bulevardit “Iliria”, “Ilindenit”, “Bllagoja Toskës”, ndërkaq ky fenomen më pak është i përhapur në bulevardin “Industrial”.

Bilall Kasami shkeli premtimin e parë për parkingjet

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë periudhës parazgjedhore në daljet e tij publike theksoi se nëse vjen ai në krye të komunës, do t’i bëjë parkingjet të cilat janë në kompetencë të komunës pa pagesë, deri sa të sigurojë parking për çdo veturë në Tetovë.

“Po ua them të gjithë qytetarëve të Tetovës nga moment i ardhjes në Tetovë të Bilall Kasamit deri sa nuk gjejmë parking për çdo veturë nuk do të ketë pagesë të parkingut në Tetovë.” tha Bilall Kasami në Click Plus më 14 tetor.

Ky premtim i Kasamit  u përmbush vetëm për rreth dy javë, parkingu u bë pa pagesë por u rikthye në mënyrën e funksionimit të mëparshme.

Nga komuna thanë se prolongimi disa javor i pagesës erdhi për arsye të detektimit të problemeve që ka kjo ndërmarrje, dhe sipas inspektimeve të tyre kanë detektuar shumë parregullsi të cilët sipas tyre tanimë janë të zgjidhura.

“Të ardhurat e gjeneruara nga kjo ndërmarrje do të shërbejnë për pagat e të punësuarve, për mirëmbajtjen e parkingjeve dhe për investime të reja që qytetarët të kenë kushte sa më të mira dhe të ndihmojmë në maksimum komunikacionin në qytet.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga komuna njoftuan se së shpejti do krijohen edhe parkingje dhe hapësira të reja, por pa dhënë detaje konkrete.

Gjatë periudhës parazgjedhore, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami premtoi se në Tetovë kanë paraparë diku shtatë parkingje me konstruksion çeliku të cilat mund të ndërtohen për një periudhë shumë të shkurtë, jo më shumë se gjashtë muaj me çka do të dyfishohen dhe në disa raste do të trefishohet kapaciteti i parkingjeve aktuale.

“Sigurisht kemi paraparë edhe ndërtimin e tre garazheve në kate me partneritet privat-publik, me këtë ne vlerësojmë se gjithashtu një pjesë e konsiderueshme e problemit do të zgjidhet dhe ajo që është me rëndësi, që buxhetit të Komunës së Tetovës zgjidhja njëherë e përgjithmonë e çështjes së parkimit të veturave nuk do t’i kushtojë më shumë se 1 milion euro, në ndërtimin e shtatë parkingjeve të cilat garantoj qytetarët e Tetovës se do të ndërtohen jo më gjatë se gjashtë muaj, dhe njëherë e përgjithmonë veturat do të largohen nga rrugët, do të hapen rrugët dhe qytetarët e Tetovës do të mund të lëvizin dhe të frymojnë lirshëm.” tha Bilall Kasami në Debatpërnime.

Sot u bë një muaj nga kur Kasami zyrtarisht e mori detyrën si kryetar i Tetovës, ndërkaq Kasamit për premtimin e realizimit të shtatë parkingjeve, sipas fjalëve të tij i kanë mbetur edhe pesë muaj që t’i realizojë të njëjtat.

Ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” ka borxh mbi 187 mijë euro, kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, vazhdimisht ka punuar në humbje. “Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, dallimi mes të hyrave dhe të dalave te NP “Parkingu i Qytetit” ishte 1.363.000 denarë apo mbi 22.000 euro. Ndryshe, te NP “Parkingu i Qytetit” si ushtrues detyre momentalisht është emëruar Igor Dodevski.

Ndryshe, Tetova çdo ditë përballet me komunikacion të ngarkuar, ku ka raste ku qytetarëve ju duhen mesatarisht nga 15 deri 30 minuta për të arritur nga qendra deri te UEJL, apo anasjelltas, pa mos e llogaritur kohën e gjetjes së vend-parkimit e cila është një problematikë në vete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button