Qindra ushtarë në RMV e padisin shtetin pasi pretendojnë se nuk u paguhet puna gjatë natës

Qindra të punësuar në Armatën e Maqedonisë së Veriut, në mesin e të cilëve dhe ushtarë profesionistë, po e padisin shtetin pasi që pretendojnë se nuk u paguhen shtesat për punë gjatë natës. Ata këtë e bëjnë duke u thirrur në Ligjin për Marrëdhënie Pune. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes (MM)pretendon se shtesat për punë gjatë natës u paguhen në bazë të Ligjit për Mbrojtje, Shërbim në Armatën e RMV-së dhe Marrëveshjen Kolektive për të Punësuarit në Mbrojtje. Sipas të dhënave të ministrisë, shteti i ka humbur 400 prej 2.000 lëndëve dhe u ka paguar të punësuarve rreth 125.000 euro. Sindikatat u japin të drejtë ushtarëve, shkruan Portalb.mk.

“Problemi me kujdestaritë e natës daton që nga viti 2013-të, por për arsye të cilat janë të dukshme dhe sipas të gjitha gjasave të motivuara politikisht, paditë filluan në vitin 2018-të. Edhe pse, prej kësaj periudhe ka filluar pagesa e shtesës në llojin e mëditjes, e cila përpara kësaj periudhe fare nuk është paguar, por vetëm është zëvendësuar me shfrytëzim të ditëve të lira”, kështu theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes për çështjen në fjalë.

Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes

Sipas të dhënave që disponon MM, prej vitit 2018-të dhe deri më tani kanë marrë rreth 2.000 padi, të cilat janë dorëzuar nga ushtarët profesionist. Sipas tyre, një numër i madh i këtyre padive janë dorëzuar nga një paditës për periudha të ndryshme.

“Për shembull, një paditës konkret dorëzon 3 ose 4 padi për periudha të ndryshme. Kështu që numri i ushtarëve profesionistë që dorëzojnë padi është në mënyrë drastike më i vogël nga numri i padive, a krahasuar me numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të Armatës është më i vogël se 10%”, thonë nga Ministria.

Prej këtyre 2.000 padive, sipas MM-së janë pranuar pjesërisht apo tërësisht nga gjykatat 400 prej tyre dhe shteti u ka paguar të punësuarve që kanë paditur, në bazë të shtesave për punë gjatë natës, rreth 7.6000.000 denarë apo rreth 125.000 euro.

Pagesa e shtesës për punë gjatë natës, të punësuarit dhe Ministria e Mbrojtjes citojnë ligje të ndryshme

Të punësuarit e padisin Ministrinë e Mbrojtjes pasi që vlerësojnë se nuk paguhen sipas Marrëveshjes Kolektive, por edhe Ligjit për Marrëdhënie Pune.

“Orari ditor i punës është 8 orë. Ndërrimi i natës nuk ka dallim prej ndërrimit të ditës, nuk paguhemi asgjë më tepër pse qëndrojmë në punë tërë natën. Pra është e njëjtë si kur punojmë prej në 8 të mëngjesit deri më 4 të ditës dhe si kur jemi prej në 12 të natës deri në 8 në mëngjes. Kërkojmë që kur të jemi në punë natën të paguhet shtesë e veçantë, ashtu e parasheh edhe ligji”, kështu thotë për Portalb.mk, një ushtar profesionist i cili ka paditur Ministrinë dhe dëshiron të mbetet anonim.

Padia e tij vijon pasi që pretendon se kur mban turne të natës duhet t’u paguhet shtesë, ashtu siç duhet t’u paguhet të gjithë punëtorëve, pavarësisht se ku punojnë, pra ashtu siç parashikon Ligji për Marrëdhënie Pune.

Sipas nenit 128 të Ligjit për Marrëdhënie Pune parashikohet:

Neni 128 i Ligjit për Marrëdhënie Pune
Neni 128 i Ligjit për Marrëdhënie Pune

Sipas këtij ligji, puna gjatë natës llogaritet orari prej 22:00 deri në ora 06:00 ditë ne ardhshme. Punëdhënësi, sipas ligjit duhet që punëtorit t’ia plotësojë disa obligime mes tjerash.

“Puna e natës u njehsohet punëtorëve që punojnë në kohë të natës. Kohë e natës, në pajtim me dispozitat ligjore ekzistuese është puna e punëtorit në periudhë prej orës 22 deri në orën 6 të ditës në vijim. Dhe, nëse punëtori punon në këtë periudhë, për orët e punës natën ka të drejtën e shtesës së punës së natës, lartësia e se cilës gjithashtu përcaktohet me dispozita ligjore të veçanta, ose me marrëveshjet kolektive. Zakonisht ajo është për 35% për çdo orë të kaluar në punë gjatë natës”, kështu e shpjegon Marijanka Aleksevska, një e punësuar në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, në një video të postuar në kanalin e Youtub-it të “samoprasaj.mk”.

Megjithatë, nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se si akte themelore juridike të cilat zbatohen në të drejtat e të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatën e RMV-së janë Ligji për Mbrojtje, Ligji për Shërbim në Armatë dhe Marrëveshja Kolektive për të Punësuarit në Mbrojtje.

“Me aktet e theksuara, rregullohen të drejtat materiale dhe të gjitha të drejtat dhe obligimet tjera, të cilat në pjesë më të madhe nga rregullativat mundësojnë realizim të të drejtave të veçanta të punësuarve tanë siç janë: Shtesa Ushtarake prej 30%, realizim të stazhit të beneficuar, shtesa të veçanta në rrogë për specialitete të caktuara të cilat mundësojnë të drejta të veçanta, të cilat nuk janë në aktet tjera juridike në shtet që kanë të bëjnë me të drejtat e punës”, thonë nga Ministria.

Ministria e Mbrojtjes është në qëndrim se për punë të natës paguhet, si pjesë e Shtesës Ushtarake, e cila është në lartësi prej 30% nga paga sipas shkallës së arsimit dhe obligimit siç është zbatuar deri më tani. Me atë paga e ushtarëve profesional rritet për 30% sipas më shumë bazave, përfshirë edhe punën e natës edhe atë për tërë muajin, dhe jo vetëm për orët e punuara të cilat kalohen në punë nate.

Neni 152 nga Ligji për Shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut:

  • Shtesë ushtarake i takon për shkak të kushteve të veçanta të shërbimit në Armatë dhe për atë: punë në kushte terreni; kamping; urdhër alarmi; pjesëmarrje në trajnime; trajnime ushtarake, ushtrime udhëzuese-metodike, demonstruese dhe të ngjashme; dislokim të përkohshëm të njësive ushtarake dhe institucioneve; qitje; punë më gjatë se sa orari i plotë, punë në turne, punë natën,  punë gjatë të dielave dhe festave; shfrytëzim dhe ndalim të pushimit vjetor sipas nevojës së shërbimit; zhvendosje; kryerja e shërbimit në të gjitha kushtet si emergjenca tjera të shkaktuara nga nevojat e gatishmërisë luftarake të ushtrisë. Shtesa e ushtrisë i përket për shkak të kushteve të veçanta të shërbimit në Armatë dhe llogaritet në masë prej 30% të pagës, sipas nivelit të arsimit dhe detyrës.

“Njëkohësisht, pagesa e shtesës në rrogë për punë të natës është e rregulluar edhe në nenin 93 të Ligjit për Shërbim në Armatë dhe nenin 73 në Marrëveshjen Kolektive të të punësuarve në Mbrojtje, ku veç tjerash parashikohet që sipas kërkesës së punëtorit për kryerjen e punëve natën rritja e pagës mund të zëvendësohet me ditë të lirë”, thonë nga Ministria.

Sindikatat u japin të drejtë punëtorëve, sipas tyre shtesat parashihen në Marrëveshjen Kolektive

Portalb.mk, kontaktoi me dy sindikata të cilat i mbrojnë të drejtat e të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ata nuk pajtohen me qëndrimin e Ministrisë, por kërkojnë që të punësuarve t’u paguhen shtesat, pasi që ajo parashihet edhe në Marrëveshjen Kolektive të Mbrojtjes.

Vanço Isajov
Vanço Isajov

“Këto padi marrin pjesë serioze nga Buxheti i Armatës  kështu që është me rëndësi që të respektohet Ligji për Marrëdhënie Pune dhe Marrëveshja Kolektive, pasi që me zbatimin e tyre të plotë nuk do të ketë mundësi për padi. Në mënyrë të rregullt do të vlerësohet puna e të punësuarve dhe të njëjtit do të paguhen në pajtueshmëri me angazhimin e tyre. Marrëveshja Kolektive është në tërësi e harmonizuar me Ligjin për Marrëdhënie Pune dhe puna gjatë natës dhe të gjitha format e punës jashtë orarit parashihen, kështu që edhe këtu me zbatimin e tij do të ketë efekte pozitive ndaj të punësuarve. Vlerësojmë se ashtu sikur edhe deri më tani, përgjegjësit do ta dëgjojnë nevojën për miratimin urgjent të këtij vendimi a i cili është në interes të të dyja palëve, thotë për Portalb.mk, Vanço Isajov kryetar i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes (SPM).

Sipas tij, zgjidhja është në interes të përbashkët të të dyja palëve, pasi që nga njëra anë do të ndalohej dalja e mjeteve për pagesën e punës jashtë orarit për disa vjet, harxhimet gjyqësore, pagesat për shpërblime për përmbaruesit dhe ngjashëm, dhe njëkohësisht të punësuarit do të jenë të kënaqur.

Edhe kryetari i Sindikatës së Mbrojtjes dhe Sigurisë Risto Ajtov, thotë se të punësuarit që padisin kanë të drejtë.

Risto Ajtov
Risto Ajtov

“Ministria lexon vetëm atyre që u përshtatet dhe nuk e lexon Kushtetutën e cila thotë se të drejtat për marrëdhënie pune rregullohen me Ligj dhe Marrëveshje Kolektive. Për momentin ka qindra padi dhe po zhvillohen procese gjyqësore dhe çdo ditë ka padi të reja, dhe Ministria humb para dhe askush nuk është përgjegjës për këtë”, thotë Ajtov.

Sipas tij, më shpesh padisin ata të cilët mbarojnë shërbimin në ushtrisë apo u mbaron marrëveshja e punës.

“Më shpesh padisin ato ushtarët profesionistë të cilët janë në vite më serioze, pra kur të vijnë rreth 45, apo atëherë kur do t’u mbarojë marrëveshja, apo e lëshojnë Armatën. Nën fuqinë e ligjit, pasi i mbushin 45-vjet, në vit së paku 300 ushtarë largohen dhe këto janë potencialisht 300 padi. Më të rinjtë frikësohen të padisin pasi që mund t’ua ndërrojnë vendin e punës, nëse janë në njësitë speciale dhe kanë pikë plotësuese e kthejnë në njësi normale dhe i humb pikët shtesë, të gjitha këto janë para. Normalisht që kjo nuk shkruan në letër, por gjenerali e shfrytëzon të drejtën, gjegjësisht ai që është kompetent sipas Ligjit për Shërbim në ARM dhe i dërgon në vende të reja të punës. Ministria nuk dëgjon, neve na injoron dhe ne s’kemi mundësi tjetër pos të shkojmë në Gjykatë”, thotë Ajtov.

Neni 72 dhe 73 i Marrëveshjes Kolektive
Neni 72 dhe 73 i Marrëveshjes Kolektive

Portalb.mk e shikoi edhe Marrëveshjen Kolektive të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila është e publikuar në të dyja faqet e sindikatave dhe sipas saj parashikohen shtesa të pagës.

  • Në nenin 72 thuhet

Shtesa të pagës ndahen për kushte të veçanta gjatë punës të cilat dalin nga orari i punës edhe atë për:

Punë më të gjatë se orari i plotë i punës (punë jashtë orarit)
Punë gjatë natës
Punë në ndërrime, gjegjësisht turnus
Punë në ditë të pushimit javor
Punë në ditët e festave dhe ditëve jopune të caktuara me ligj dhe
Shtesë për stazh të punuar

  • Në nenin 73 thuhet

Paga bazë e punëtorit në orë rritet për:

Punë më të gjatë se orari i plotë i punës (punë jashtë orarit) – 35%
Punë gjatë natës – 35%
Punë në ndërrime, gjegjësisht turnus – 5%
Punë në ditë të pushimit javor – 35%
Për punë gjatë në ditët e festave dhe ditëve jopune të caktuara me ligj, i punësuari ka të drejtë të kërkojë kompensim të rrogës që i takon në këto ditë kur nuk punon dhe pagë për orët e kaluara të punës të rritur për 50%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button