Site icon PORTALB

Bisedë Zaev-Donfrid: Fillimi i negociatave për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE është interes gjeostrategjik i SHBA-ve

Zoran Zaev në Samitin në Bërdo

Zoran Zaev në Samitin në Bërdo

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë vonë ka zhvilluar një bisedë telefonike me ndihmës sekretaren e shtetit të SHBA-së, Karen Donfried, e cila në emër të qeverisë amerikane dhe qytetarëve amerikanë iu ka shprehur ngushëllime të thella qytetarëve të Maqedonisë për viktimat në aksidentin e autobusit në Bullgari, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi shërbimi për media i Qeverisë Kryeministri Zaev dhe ndihmës Sekretarja shtetëror Donfrid biseduan edhe për procesin euro-integrues të Maqedonisë së Veriut, me çka u shpreh mbështetja e tërësishme nga ana e SHBA-ve për hapjen e negociatave me BE-në në dhjetorë të këtij viti.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është interes i politikës së jashtme dhe gjeostrategjike të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë bisedës telefonike u konfirmua partneriteti strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve të cilat tani janë edhe partnerë të NATO-s.

Ndërkohë, sot media bullgare BNR, raportoi se nuk ka ndryshim në qëndrimin e Bullgarisë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE, në mbledhjen e djeshme të Këshillit për çështje të përgjithshme.

Vetoja bullgare mbetet, megjithëse qëndrimi i prerë i Bullgarisë i planifikuar për dje, i cili duhej të paraqitej në Këshill, nuk u shpreh për shkak të tragjedisë në autostradën Struma, mësojnë mediat nga një burim diplomatik.

Kujtojmë se presidenti bullgar, Rumen Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.

Exit mobile version