Mbi 90 përqind e punonjësve shëndetësorë në rajonin Ohër-Strugë janë vaksinuar

Nuk ka asnjë mjek të punësuar në institucionet publike shëndetësore në rajonin e Ohrit-Strugës që të mos ketë marrë së paku një dozë të vaksinës. Rekordin e mban Spitali special për sëmundje kardiovaskulare në Ohër, ku janë vaksinuar 100% e punonjësve shëndetësor. 

Shkruan: Sonja Rillkovska, Vërtetëmatës

Mbi 90 përqind e punonjësve shëndetësorë në rajonin Ohër-Strugë janë vaksinuar. Nuk ka asnjë mjek që të mos ketë marrë së paku një dozë të vaksinës.

Të pavaksinuar për arsye të ndryshme janë një përqindje e vogël e të punësuarve në administratën apo personelin mjekësor me arsim të mesëm në spitalet në Ohër, Strugë dhe Vevçan. Disa janë shëruar kohët e fundit nga virusi, por në mesin e atyre që nuk janë të imunizuar ka njerëz me gjendje të rralla imunologjike ose sëmundje që janë kundërindikative ndaj vaksinës.

Në spitalin tonë më shumë se 95% e personelit janë të vaksinuar. Janë vaksinuar edhe mjekë dhe infermierë, ndihmësmjekë, personel ndihmës, punonjës administrativë. Vaksinën nuk e kanë marrë vetëm një numër i vogël i punonjësve, por një pjesë e tyre nuk ka shumë kohë që e kanë kaluar Kovidin, dhe disa kanë sëmundje që janë kundërindikative ndaj vaksinës. Por, vazhdojmë të bëjmë apel që të vaksinohen të gjithë. Të besojnë në shkencën e mjekësisë, thotë doktor Goran Baleski, drejtor i Spitalit të Ohrit.

Mbi 90% e personelit në Spitalin Special të ortopedisë dhe traumatologjisë “Shën Erazmo” janë të vaksinuar.

Të gjithë mjekët janë vaksinuar, nuk kemi mjek që nuk është vaksinuar deri më tani. Kemi një përqindje të vogël punonjësish që nuk janë vaksinuar, disa e kanë kaluar Kovidin kohët e fundit dhe kanë antitrupa, disa thjesht nuk duan. Këto zakonisht janë nga personeli teknik ndihmës, thotë dr. Aco Veleski, drejtor i spitalit “Shën Erazmo”.

Rekordin  e mban Spitali special për sëmundje kardiovaskulare në Ohër, ku janë vaksinuar 100% e punonjësve shëndetësorë.

Të gjithë punonjësit shëndetësorë në spital – 121 – janë vaksinuar. Shumica me dy doza, por kemi edhe me një dozë, më së shumti nga ata që sapo e kanë kalur sëmundjen, thotë doktoresha Elena Bashuroska Kovaçeska, drejtoreshë e spitalit “Shën Stefan”.

Mjek të pavaksinuar nuk ka as në Komunën e Vevçanit. Nuk janë vaksinuar vetëm një pjesë e vogël e të punësuarve në Shtëpinë e shëndetit “Doktor Svetozar Çoçorski” nga punonjësit me arsim të mesëm.

Nuk kemi mjek të pavaksinuar. Mbi 90 për qind e punonjësve janë të vaksinuar. Ajo përqindje e vogël e të pavaksinuarve janë në mesin personelit mjekësor me arsim të mesëm, thotë Jovan Stojkoski, drejtor i Shtëpisë së shëndetit “Dr. Svetozar Çoçoroski”.

Në spitalin e Strugës nga 316 punonjës shëndetësorë  306 janë të vaksinuar.

Vetëm dhjetë punonjës nuk e kanë marrë ende vaksinën. Nëse pranohet rekomandimi i Komisionit për sëmundjet Infektive për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve shëndetësorë, besoj se edhe ata do të vaksinohen. Në të kundërtën do t’i respektojmë masat dhe do të veprojmë ashtu siç kërkojnë nga Komisioni, thotë Armend Arsllani, drejtor i spitalit të Strugës.

Коmisioni për sëmundjet infektive në 17 nëntor miratoi propozim masa të reja për t’i mbrojtur qytetarët nga Kovid-19. Një ndër to është vaksinimi i detyrueshëm për të gjithë punonjësit shëndetësorë. Masa pritet të hyjë në fuqi 30 ditë pas miratimit të saj nga qeveria për t’u dhënë hapësirë ​​punonjësve shëndetësorë të pavaksinuar për tu vaksinuar. Propozimet e Komisionit i kumtoi Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili tha se janë miratuar me konsensus nga anëtarët.

Drejtuesit e institucioneve shëndetësore thonë se do t’i respektojnë masat dhe do të veprojnë sipas ligjit.

Punonjësit shëndetësorë duhet të jenë shembull për qytetarët dhe të ndihmojnë në inkurajimin e imunizimit masiv të popullatës, i cili është vendimtar për përfundimin sa më të shpejtë të pandemisë.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që punonjësit shëndetësorë të vaksinohen, kryesisht sepse në një farë mënyre, secili prej tyre ka qenë ose është ende i përfshirë në luftën kundër Kovidit. Prandaj, si të përfshirë drejtpërdrejt në procesin e trajtimit, ata e dinë më së miri se çfarë do të thotë infeksioni me Kovid dhe janë të vetëdijshëm për pasqyrën klinike që e shkakton. Nga ana tjetër, puna e përditshme me pacientët i vë ata në një rrezik shtesë nga sëmundja, si dhe transmetimi i virusit te të dashurit e tyre. E gjithë kjo së bashku me faktin se si punonjës shëndetësorë janë më të informuar për përfitimet nga vaksinat dhe sigurinë e tyre, shkon në favor të nevojës për vaksinim të të gjithë punonjësve shëndetësorë që në një farë mënyre të shërbejnë si shembull në shoqërinë. Natyrisht, personat tek të cilët vaksina është kundërindikative për arsye të ndryshme janë të liruar nga vaksinimi i detyrueshëm, thotë dr.Ile Kuzamnovski nga Shoqata e specializantëve.

Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë nëse punonjësit refuzojnë të vaksinohen, nëse do të largohen nga puna si në disa vende të tjera të botës. Qeveria do të vendosë se çfarë sanksionesh do të ndërmerren për punonjësit shëndetësorë që nuk do të vaksinohen. Siç ka paralajmëruar ministri Filipçe, në seancën e ardhshme të qeverisë do të diskutohet për masat ndëshkuese që do të zbatohen si për personat fizikë ashtu edhe për personat juridikë. (nga minuta 5,08 deri më minutën 5,25 në video).

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button