Familjarët kërkojnë informata, zyrën e mbyllur të kompanisë “Besa Trans-Shkup” e ruajnë zyrtarë policorë

Askush nga kompania e transportit, “Besa Trans-Shkup” nuk e hap telefonin, ndërkaq zyra e cila ndodhet në afërsi të Qendrës Tregtare Mavrovasja në Shkup është e mbyllur. Disa policë janë duke e ruajtur zyrën e kompanisë, ndërkaq aty janë edhe qytetarë të shqetësuar të cilët presin informata për të afërmit e tyre.

Kjo është situata para zyrës së kompanisë, autobusi i të cilit është aksidentuar dhe më pas është djegur sot në mëngjes në Bullgari dhe sipas paralajmërimeve kanë humbur jetën 45 persona, raporton Portalb.mk.

Kompania "Besa Trans"
Kompania “Besa Trans”

Derisa ishte gazetari i Portalb.mk në terren filluan të vijnë edhe familjarët të cilët interesoheshin për fatin e të afërmve të tyre.

“Kemi 4-5orë që interesohemi dhe s’kemi asnjë informacion. Kemi kërkuar te të gjitha numrat e “Besa Trans-Shkup”, por askush nuk e hap telefonin. Së paku si shtet si MPJ duhet të na informojë për ata njerëzit që janë në Turqi. Nuk e dimë ku të drejtohemi”, tha Xhelal Bakiu, një familjar i cili ka ardhur para zyrës së kompanisë dhe kërkon informata për kushëririn e tij.

Bekim Aliti, gruaja e të cilit ishte në autobusin që u dogj mëngjesin e sotëm, gjdendej para agjencisë së “Besa Trans-Shkup” së bashku me kushëririn e tij që prisnin që dikush t’i informojë për fatin e familjarëve të tyre.

Bekim Aliti tha se nuk e dinë çka do të ndodh pasi prej kompanisë nuk u kanë treguar asgjë.

“Bëhet fjalë për shoqen time dhe shoqen e vëllait, janë dy motra. Mbrëmë i kam shkruar pyete shoferin kur do të mbërini që ti dalim para, lajm nuk pata. Telefonin e kanë njëra fikur tjetra ndezur, por nuk lajmërohen. Unë thirra në spitalin e Bullgarisë, ato nuk japin informacion. Thanë janë shtatë vetë në spital, por nuk japin lajm për emrat. Vetëm ato dyja vetë kanë qenë, sa erdha prej Gjermanie në pushim këtu, për shkak të kësaj shëtitjes.” tha Bekim Aliti.

Nga ana tjetër, kushëriri i Bekimit tha se nga agjencioni duhet të japin informatë, të dinë se ku janë, ku s’janë.

“Të paktën informatë të kemi se shpirtin e jep zoti nul e jep njeriu, aq funksionojmë ne këtu. Pak a shumë kemi informacione se kanë qenë në atë autobus, nga ora 7 ka ra telefoni tre herë njërës prej grave, mandej jo. Bëhet fjalë për sinqeritet dhe funksionim shteti, duhet të del dikush të na jep informacion, t’i dimë njerëzit ku i kemi. Ambasada nuk konfirmon gjë, edhe atje kemi thirrur, në bazë të shoqërisë që kemi, miq që punojnë në institucione diku përafërsisht ka lajme se kanë qenë në autobus. E konfirmuar është se janë pjesë e atij autobusit. Va kanë ndërruar autobusin, kanë shkuar me tjetër, kur kanë ardhur i kanë hyp te ky autobusi. Është e konfirmuar se gjenden në atë autobus, por fati i tyre në dorë të zotit. Diçka kemi ardhur në kontakt në bazë të miqve që i kemi, na kanë informuar deri diku. Lajmet nuk janë të mira, por duhet dikush me e konfirmuar nga agjencia se nuk marrim shpirt ne. Duhet të del dikush, mos të na malltretojnë këtu të kemi shpresa të kota. Të paktën të jenë të sinqertë me njerëzit që udhëtojnë me këto, jo ta mbyllin agjencinë dhe të ikin, se nuk marrim shpirt ne. Të paktën familjarët duhet të informohen, kemi lënë kontakte në bileta. Duhet të kemi një lloj lidhje ku ti kërkojmë njerëzit.” tha kushëriri i Bekim Alitit.

Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 02:00 në Bullgarinë perëndimore, pranë fshatit Bosnek,, në jugperëndim të Sofjes, në autostradën “Struma” njofton agjencia bullgare BGNES.  Autobusi mbante targat e Maqedonisë së Veriut.

Autobusi është i kompanisë Besa Trans-Shkup ” e regjistruar në fshatin Rashçe, komuna e Sarajit.

Për detaje tjera, lexo: Tragjedi në Bullgari, 45 udhëtarë të vdekur në aksidentin e autobusit me targa të Maqedonisë

Kompania "Besa Trans"
Kompania “Besa Trans-Shkup”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button