Site icon PORTALB

Dalipi, në krye të Këshillit të Tiranës

Aldrin Dalipi

Aldrin Dalipi

Këshilltarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim zyrtarizuan bashkimin e tyre, në një takim, gjatë të cilit propozuan kryetarin e këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi për postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Kjo lëvizje vjen një ditë pas kërkesës së firmosur nga këshilltarët e PS dhe LSI për mbajtjen e një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak, me objekt shkarkimin e kryetarit aktual, nga radhët e demokratëve, Njazi Kosovrasti. Duke iu drejtuar kryebashkiakut Lulzim Basha, kryetari i këshilltarëve socialistë deklaroi se ky nuk është konflikt politik, por vendosje e legjitimitetit të shumicës.

“Të heqë dorë nga çdolloj provokimi të vogël dhe të kuptojë që ky nuk është konflikt politik,por ky është një reagim qytetar i shumicës, ndaj vendosjes së legjitimitetit të institucioneve në Tiranë apo në të gjithë Shqipërinë”, tha Dalipi. Për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, Shezai Rrokaj dhe kryetarin e Partisë Socialiste për Tiranën, Sajmir Tahiri kjo lëvizje është garant i votës së qytetarëve.

“Kemi gjithë energjinë e duhur që t’i garantojmë qytetarët e Tiranës, por edhe më tej,qytetarët e Shqipërisë se kjo votë do të garantohet, vota do të shkojë atje ku ajo e ka marrë destinacionin e saj prej qytetarit”, tha Rrokaj. “Bunkeri i fundit që i kishte ngelur Sali Berishës deri më sot, ishte pushteti vendor. Ne sot jo vetëm afirmojmë vullnetin tonë për të qenë shumicë në çdo njësi vendore, por nga ana tjetër i heqim mundësinë e fundit Sali Berishës, për të strehuar manipulatorët e tij”, tha Tahiri./Top Channel/

 

Exit mobile version