Site icon PORTALB

Lorer: Nuk është reale që deri më 14 dhjetor të arrihet marrëveshje e plotë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë

Daniel Lorer nga partia politike fituese në Bullgari, “Vazhdojmë me ndryshimin”, i cili është kandidati më serioz i Bullgarisë për ministër të punëve të jashtme, konsideron se deri më 14 dhjetor nuk do të mund të zgjidhet mosmarrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Përndryshe, në këtë datë duhet të mbahet takimi i fundit në kryesinë e Bashkimit Evropian për këtë vit, transmeton Portalb.mk.

Duke folur në emisionin “Vazhno, kazhano na glas” në radio bTV, Lorer dje tha se nevojiten negociata të mëtejshme për përparimin ekonomik mes dy vendeve, ndërsa diskutimi historik duhet të zhvillohet paralelisht.

“Neve na duket se nëse ia lëmë vetëm historisë t’i lëvizë bisedimet përpara, kjo nuk do të japë një rezultat mjaft të mirë për të dyja vendet. Prandaj do të hapim diskutime shtesë në drejtim të progresit ekonomik mes dy vendeve. Kurse diskutimi historik do të ecë paralelisht. Kështu që të dyja vendet të jenë të kënaqura,” tha Lorer.

I pyetur nëse do të propozohej për ministër të jashtëm, Lorer nuk e hodhi poshtë idenë, por as nuk e konfirmoi.

Duke komentuar komisionin e përbashkët historik të Sofjes dhe Shkupit, ai tha se për momentin “Ndryshimi vazhdon” (PP) konsideron se puna e komisionit nuk ofron përparim dhe të dy vendet ndihen të pakënaqura me atë që po ndodh dhe se duhet gjetur formula e re.

“Funksioni i tij duhet të jetë mbështetës, por jo edhe unik në këtë proces. Mosmarrëveshja është e thellë dhe ne e dimë se në Ballkan popujt tanë kanë një histori shumë të gjatë. Këto diskutime duhet të hapin rrugën e tyre. Kjo ndodh mes të gjitha kombeve fqinje në Ballkan dhe nuk ka se si të jetë e vetmja mënyrë për bisedime mes nesh”, tha Lorer.

Kujtojmë se presidenti bullgar, Rumen Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.

Exit mobile version