Site icon PORTALB

VMRO-DPMNE i përgjigjet Ali Ahmetit

VMRO-DPMNE-ja ka reaguar nëpërmjet një komunikate për shtyp ndaj deklaratës së Ali Ahmetit

VMRO-DPMNE-ja ka reaguar nëpërmjet një komunikate për shtyp ndaj deklaratës së Ali Ahmetit

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, VMRO-DPMNE-ja i është përgjigjur liderit të BDI-së Ali Ahmeti, në lidhje me deklaratën e tij se ka ardhur koha që të zgjidhet çështja e emrit dhe Maqedonia të anëtarësohet në NATO. 

VMRO-DPMNE-ja thotë se edhe “pajtohet me rëndësinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO”, megjithatë, “për popullin maqedonas është po aq e rëndësishme edhe ruajtja e identitetit, të shprehur ose të lidhur me gjuhën, kombësinë dhe emrin e shtetit”. 

“Z. Ali Ahmeti e di shumë mirë, ose do të duhej ta dinte, se lufta e popullit maqedonas për identitetin, shtetësinë dhe pavarësinë e tij, si dhe problemet që i shkakton Greqia në lidhje me këtë çështje, zanafillën e kanë që para 170 vitesh, duke kaluar nëpër shumë etapa, shtypje, gjakderdhje, shkatërrime, përndjekje, shpërngulje të dhunshme, shkelje të të drejtave të njeriut dhe tentime për shkatërrimin, gjegjësisht, fshirjen e kombit maqedonas. Këto përpjekje vazhduan edhe gjatë 23 viteve të fundit, pasi Republika e Maqedonisë fitoi pavarësinë e saj. 

Në këto përpjekje që kanë ekzistuar shumë më herët se sa kur është themeluar NATO-ja, populli maqedonas dha sakrificë të madhe dhe janë humbur jetët e shumë njerëzve, ka pasur shumë mundime dhe keqtrajtime. Edhe vetë shteti në 23 vitet e fundit ka përjetuar shumë goditje dhe tronditje, të tipit të embargove, bllokadave etj.” 

VMRO-DPMNE-ja thotë se nuk planifikon të dorëzohet “para shantazhit dhe diktatit të Greqisë pas gjithë këtyre viteve luftë, e as para çfarëdo lloj kërcënimi, nga kushdoqoftë”. 

Kjo parti thotë se “në majën e prioriteteve të saj është anëtarësimi në NATO dhe në BE, por vetëm me kusht që në të njëjtën kohë të ruhet identiteti, nëpërmjet formave të lartëpërmendura, dhe me një kompromis që nuk do të cenojë atë dhe të cilin do ta miratojë shumica e qytetarëve të Maqedonisë dhe e popullit maqedonas.” 

Në fund, VMRO-DPMNE-ja e porosit Ali Ahmetin se “tani është koha, por ne themi se gjithmonë është koha, por jo me çmimin e identitetit maqedonas”. /Portalb

Exit mobile version