Site icon PORTALB

Drejtori i NPK, Murati jep dorëheqje: i është marrë vetura, komuna së shpejti me drejtor të ri

Ajet Murati

Ajet Murati

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, Ajet Murati, të martën publikisht ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Në arsyetimin e dorëheqjes, Murati  tha se i është marrë vetura zyrtare e cila do të jetë në shërbim të komunës.

“Pas ndryshimit të udhëheqësisë së komunës, nuk kam ndonjë arsye për të qëndruar në këtë post”, ka deklaruar Murati. Ai gjatë një pres konference me gazetarë është shprehur se gjatë kohës sa ka qenë drejtor ka punuar që të ketë qytet të pastër, ndërsa tha se kundër tij ka pasur një kampanjë negative si nga ana e mediave dhe nga ana e partisë shqiptare në pushtet. 

Ndërkaq, nga Komuna e Tetovës nuk kanë komentuar dorëheqjen e tij, pasi që siç theksuan, arsyet e dorëheqjes së Muratit, janë personale.

“Në dorëheqjen e tij drejtori ka shkruar se jep dorëheqje për arsye personale dhe këtu nuk kemi se çka të komentojmë”, kanë thënë nga kabineti i kryetares së Tetovës Teuta Arifi, ndërsa kanë theksuar se së shpejti do të emërohet drejtor i ri.

Ajet Murati duke udhëhequr në NPK “Tetova” është përballur vazhdimisht me vështirësi financiare ndërsa dhe puna e saj shpesh është bllokuar nga punëtorët e pakënaqur me mosmarrjen e rrogave të tyre. /Portalb

Exit mobile version