Zgjedhjet në Bullgari vendimtare për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor

Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në Bullgari do të ndikojë në ecurinë e rrugës së pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, tha kryeministri holandez Mark Rutte gjatë vizitës së tij në rajon, transmeton Portalb.mk.

Gjatë vizitës në Shqipëri të mërkurën më 10 nëntor, Rutte takoi kryeministrin Edi Rama. Temat në tryezë përfshinin pranimin e Shqipërisë në BE, e cila është e lidhur me atë të fqinjit të saj, Maqedoninë e Veriut. Vetoja nga Bullgaria për çështjet kulturore dhe etnike me Maqedoninë do të thotë ngecje edhe për Shqipërinë.

“Që Shqipëria të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare, është thelbësore që të zgjidhen çështjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shpresoj që kjo të ndodhë. Ju keni bërë shumë. Për të qenë i drejtë, (Shqipëria) ka bërë progresin e duhur”, tha Rutte.

Në qershor 2021, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së nuk arriti të pajtohej për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me të dy vendet. Duke kërkuar vendim unanim nga ministrat e jashtëm të 27 shteteve, vetoja e Bullgarisë e bëri të pamundur. Presidenti bullgar Rumen Radev ka vendosur tre kushte që Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë përpara se të heqë veton.

Georgi Kiryakov për EURACTIV komentoi se mundësia për formimin e një qeveri të qëndrueshme në Sofje është shumë e vogël. “Bullgaria po shkon drejt zgjedhjeve të katërta parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Kiryakov.

Ai shpjegoi se nëse Bullgaria dështon të zgjedhë një qeveri të qëndrueshme, nuk do të mund të japë dritën jeshile për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Zgjedhjet duket se do të fitohen nga partia GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov, por nuk ka gjasa të marrë më shumë se 25% të votave. Borisov aktualisht është në izolim politik dhe duket se nuk ka asnjë shans që të kthehet së shpejti në pushtet.

Alternativa ndaj zgjedhjeve të reja është një qeveri e dobët e mbështetur nga katër parti. Një qeveri e tillë do ta kishte të vështirë të vendoste t’i jepte dritë jeshile Shkupit pasi vendimi do të ishte shumë jopopullor.

Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zoran Zaev anuloi premtimin për dorëheqje, duke përmendur nevojën për stabilitet dhe demokraci në vend.

Vendimi erdhi pasi partia opozitare VMRO-DPNE njoftoi një votë mosbesimi 11 nëntor, duke shtuar se prisin të sigurojnë 61 vota nga gjithsej 120 vende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button