Kodra e Diellit, procedura për ndarjen e “ELEM-it” nga Elektranat e RMV-së drejt fundit
Derisa dimri afrohet, interesimi i qytetarëve për Kodrën e Diellit gjithnjë e më shumë rritet. Kanë kaluar tetë muaj nga kur Qeveria e RMV-së solli vendim për ndarjen e ELEM Turs nga shoqëria aksionare “Elektranat e RMV-së”, drejtori i ELEM-it, Adem Avziu për Portalb.mk njoftoi se kjo është në procedurë finale, dhe se po përgatiten për sezonin e skijimit. Vazhdon të ngelet e paqartë për qytetarët se kush do të jetë investitori të cilit do t’i jepet me koncesion Kodra e Diellit, shkruan Portalb.mk.
Drejtori i ELEM-it, Adem Avziu për Portalb.mk tha se “procedura për ndarjen e “ELEM Turs” nga Elektranat e RMV-së është në procedurë finale, është nga fundi.”
Ndarja e “Elem Turs” nga Elektranat e RMV-së nga shoqëria civile u cilësua si një hap i mirë kundrejt “çlirimit” të qendrës turistike, Kodra e Diellit.
Avziu, për Portalb.mk tha se janë duke u përgatitur për sezonin e skijimit.
“Janë bërë goxha punë mund të shihet gjithçka që është bërë në teren. Punët që janë bërë duken dhe preken.” tha Avziu.
Ndërkaq, ai para pak ditëve në rrjetin e tij Facebook, njoftoi punët të cilat janë bërë gjatë dhjetë muajve të fundit në Kodrën e Diellit.
Ndër të tjera Avziu para dy ditëve njoftoi se në Kodrën e Diellit mirëpriti përfaqësuesit e kompanisë Leithner, Demaclenko dhe Prinoth, me të cilët biseduan për mundësitë e implementimit të sistemit për prodhimin e sistemit për borë artificiale.
“Jemi në bisedime, unë kërkova nga ata të vijnë në teren dhe të më japin një vlerësim konkret edhe një “first plan” për shtigjet e Teteksit dhe Aerodrumit, si fazë fillestare. Duhet të më dorëzojnë një propozim, një projekt edhe normal një ofertë se sa mund të kushtojë ajo që unë ti planifikoj punët për vitin e ardhshëm. Pres ofertë oficiale nga ana e tyre. Është projekt të cilin e planifikojmë për sezonin e ardhshëm, se tani është vonë për këtë sezone. Bëhet fjalë për sezonin 2022-2023.” tha Avziu.
“Komisioni për Kodrën e Diellit” nuk është efektiv
Komisioni për Kodrën e Diellit i themeluar nga Ministria e Ekonomisë në muajin shkurt deri tani ka zhvilluar vetëm një takim edhe pse kanë kaluar nëntë muaj nga kur është themeluar.
Nga nisma “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” thanë se komisioni i formuar për Kodrën e Diellit është jofunksional.
“Nuk kemi informacione, çdo gjë është në stagnim. Ministria e Ekonomisë dhe komisioni nuk funksionojnë, dyert janë të mbyllura. Vetëm një mbledhje e kemi pasur, asnjë mbledhje tjetër nga muaji shkurt.” thanë nga “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit.”
Ky komision përbëhet nga përfaqësues të iniciativës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, “Elem Turs”, Ministria e Ekologjisë, Komuna e Tetovës, Ministria e Bujqësisë, Agjencioni për Zhvillim të Turizmit dhe Ministria e Ekonomisë.
Qeveria hesht për investitorin të cilit do i jepet Kodra e Diellit me koncesion 99 vjeçar
Ndërkaq vazhdon të ngelet e paqartë për opinionin se çfarë po ndodh me investimet në Kodrën e Diellit dhe kush do të jetë investitori të cilit do t’i jepet me koncesion kjo qendër skijimi për 99 vitet e ardhshme, për këtë Qeveria vazhdon të hesht.
Zëdhënësi i Qeverisë, jo që nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk, por i njëjti i ndalon thirrjet kur e kontaktojmë edhe pse javën e kaluar dy herë na tha se janë duke mbledhur informacion për pyetjet tona.
As nga “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” nuk kanë informata nga institucionet për atë se deri ku kanë arritur procedurat për dhënien e Kodrës së Diellit me koncesion. Të njëjtën e tha edhe drejtori i ELEM-it, Adem Avziu.
“Nuk kam informacion, nuk është në kompetencat e mia, është punë e Qeverisë.” tha Avziu.
Ajo çka dihet deri tani është se Qeveria e Maqedonisë së Veriut para pesë muajsh ka njoftuar shkurt se investitori po punon në përgatitjen e projektit, pa treguar se kush është, madje as nëse i njëjti e ka fituar koncesionin.
Në fund të muajit maj kryeministri Zoran Zaev ka bërë të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit”. Marrëveshja është në fazën finale dhe parashihet dhënia me koncesion 99-vjeçar për një investitor evropian, emri i të cilit mbetet “i besueshëm”.
Ndryshe, në seancën e 51 të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u vendos që kompania e cila menaxhon me Kodrën e Diellit, “ELEM Turs” që funksionon nën “AD ESM” të ndahet dhe të funksionojë si e pavarur. Gjithashtu u vendos që “Kodra e Diellit” të shkojë me modelin publiko-privat dhe që të bëhet shpallja për personat juridik të interesuar.
- LEXO: Kodra e Diellit e lënë në mëshirë të fatit, Qeveria hesht për investimet
- LEXO: Kodra e Diellit në pritje të investuesit të ri, të cilit s’i tregohet as emri
- LEXO: Sfidat dhe premtimet për “Kodrën e Diellit”, flet drejtori i “Elem Turs”, Adem Avziu
- LEXO: Tre muaj pas vendimit qeveritar, “Elem Turs” ende në procedurë të ndarjes nga Elektranat e RMV-së, zvarritet edhe privatizimi
- LEXO: RMV, “Elem Turs” ndahet nga ESM ndërsa Kodra e Diellit do të privatizohet pjesërisht
- LEXO: Është realizuar takimi i parë i komisionit për Kodrën e Diellit, Sulemani: U morëm vesh që ta heqim “Elem Turs” nga kjo qendër
- LEXO: RMV, Komisioni për Kodrën e Diellit: Bekteshi nuk e mbajti premtimin e dhënë, i dha edhe një muaj afat
- LEXO: Kodra e Diellit me plan urbanistik të viteve 80-ta, shoqëria civile kërkon që komuna t’i qaset seriozisht këtij problemi (VIDEO)
- LEXO: Zaev: Investitorë nga Katari interesohen për Kodrën e Diellit, s’duam të heqim dorë nga kjo qendër turistike
- LEXO: RMV, Qeveria thotë se kompani evropiane interesohen për Kodrën e Diellit (VIDEO)
- LEXO: I pashmangshëm dështimi i sezonit, Kodra e Diellit afër privatizimit