Tetovë, nga sot në funksion vetëm linja numër 1 e transportit publik

Qytetarët vazhojnë ta kenë të paqartë mënyrën e funksionimit të autobusëve në Tetovë. Nga dita e sotme sërish ka ndrrime. Tani janë reduktuar linjat e transportit publik të Tetovës, gjegjësisht në shërbim të qytetarëve do të jetë vetëm linja numër një, e cila do të qarkullojë çdo 15 minuta nga ora gjashtë e mëngjesit deri ora tetë në mbrëmje. Drejtori i NP “Tetova Transport” për Portalb.mk tha se ende janë në fazën e testimit se cilat linja duhet të jenë funksionale. 

Një qytetare të cilën e takuam në autobus u shpreh se nuk e din se kur niset autobusi sepse vazhdimisht ka ndryshime.

“Nuk është në rregull kjo që njëherë i ndalin njëherë i lëshojnë autobusët, nuk është korrekte.” tha qytetarja.

Drejtori i NP “Tetova Transport”, Darko Spirovski tha se ende janë në fazën e testimit dhe përcaktimit se cilat linja duhet të funksionojnë, andaj për momentin kanë vendosur që të jetë në funksion vetëm linja numër 1. Ai tha se kanë ankesa nga klientët e tyre më të mëdhenj që jan studentët dhe nxënësit se në orët e mëngjesit dhe kur kthehen ka shumë njerëz dhe turma në autobusë.

“Për momentin kemi presion të madh nga studentët dhe nxënësit, sepse thonë që në mëngjesi dhe pastaj gjatë ditës, ka shumë njerëz  dhe turma në autobus. Tani ne po drejtojmë të paktën linjën kryesore, ku lëvizin 80-90% e klientëve tanë që janë nxënësit dhe studentët. Kështu vendosim që të paktën në këtë periudhë të lëvizim në këtë mënyrë.” tha Darko Spirovski.

Linja numër një do të jetë në shërbim të qytetarëve çdo 15 minuta nga ora 6 e mëngjesit deri ora 8 e mbrëmjes.

Linja numër një kalon nga “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu i Gjelbër”, “Qendër”, “Xhamia e Larme”, Shkolla e Mesme e Mjekësisë”, “Universiteti i Tetovës”, “Universiteti i Evropës Juglindore” dhe anasjelltas.

Darko Spirovski, drejtor i NP "Tetova Transport".
Darko Spirovski, drejtor i NP “Tetova Transport”.

Ndër të tjera Spirovski përmendi se funksionimi i të gjitha linjave nuk është i qëndrueshëm edhe nga aspekti financiar. Si shembull përmendi linjën numër 3 e cila fillon nga Stacioni i Autobusëve, vazhdon te Stadiumi dhe kthehet nga Qendra. Ai tha se nga interesimi i njerëzve ajo u vazhdua deri në Xhepçisht, por më vonë rezultoi se ka njerëz në drejtim të parkut të lodrave por jo në drejtim të Xhepçishtit.

“Deri më tani, disa herë kemi lëshuar disa linja dhe më pas i kemi reduktuar, varësisht si ka qenë interesimi i qytetarëve. Tani ne vetëm i testojmë linjat, për të parë se cilat linja rezultojnë të jenë më të qëndrueshme dhe cilat linja janë më pak të qëndrueshme. Nuk dua të them se do t’i përjashtojmë në përgjithësi dhe të mos ekzistojnë. Praktikisht nuk qëndron financiarisht, të paktën në këtë fazë.  Në fund do t’i përmbledhim dhe do të marrim një vendim, mendoj se mund të bëhet ende më shumë.” tha Darko Spirovski.

Gazetari i Portalb.mk bisedoi edhe me një nga shoferët e kësaj ndërmarrjeje, i cili na tha se arsyeja e reduktimit të dy linjave tjera është se ndërmarrja nuk ka llogari.

Të ardhurat e kësaj ndërmarrje varrën nga biletat të cilat i shesin. Për momentin në shitje janë vetëm biletat bazë të cilat janë për një vozitje dhe kushtojnë 20 denarë. Ende nuk kanë dalë në shitje biletat mujore dhe vjetore, që ndoshta do të ishin një përkrahje më e madhe financiare për ndërmarrjen.

Për këtë, drejtori Spirovski tha se biletat mujore dhe vjetore janë gati, por ka disa çështje administrative të cilat duhet të zgjidhen gjatë periudhës së ardhshme, duke theksuar se kjo është çështje kohe.

“Ne kemi filluar një kompani nga e para, dhe ka shumë sfida të reja që duhet të zgjidhen. Për një vit do të ketë  gjithçka, tani po i zgjidhim problemet hap pas hapi. Duhet të themi që vetë stacionet e autobusëve duhet të identifikohen më mirë, të vendosen tabelat për linjat e autobusëve. Ka më shumë sfida, por po punojmë në këtë drejtim.”  tha Darko Spirovski.

Të premten e kaluar autobusët ndaluan së qarkulluari pasi u kishte mbaruar karburanti, dhe pompa e cila i furnizone ua kishte ndaluar furnizimin me të njëjtin. Kjo erdhi si pasojë e borxhit të gjeneruar për disa muaj nga Komuna e Tetovës që nuk ishte shlyer në kohë, pasi kontratën për furnizimin e autobusëve me karburant e kishe bërë komuna dhe jo ndërmarrja publike. Po atë ditë, drejtori i kësaj ndërmarrjeje njoftoi se kontrata ishte rinovuar dhe se autobusët filluan të qarkullojnë përsëri. Nga usdhëheqsia e re e Komunës së Tetovës thanë se do të mundohen të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme, e cila do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe jo të individëve.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të muajit gusht. Megjithatë, problemi me kaosin në komunikacion në këtë qytet ende nuk është zgjidhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button