Pas pesë ditëve pa karburant, autobusët e Tetovës qarkullojnë sërish, e panjohur arsyeja e ndërprerjes

Pasi u ndërprenë linjat e funksionimit të autobusëve të transportit publik në Tetovë, për shkak se nuk iu lejua furnizimi me karburant nga pompa e benzinës me të cilën kishin marrëveshje, drejtori i NP “Tetova Transport” Darko Spirovski për Portalb.mk njoftoi se autobusët kanë nisur të qarkullojnë përsëri me linjat e rregullta. Ngelet e paqartë se pse autobusët u ndaluan të merrnin karburant, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i NP “Tetova Transport”, Darko Spirovski tha për Portalb.mk se të hënën, shoferëve iu ishte kumtuar se pronari i pompës së benzinës nuk lejon më që autobusët të marrin karburant.

Ai nuk tregoi se pse, por tha se kontratën nuk e ka bërë ndërmarrja ku ai udhëheq por Komuna e Tetovës.

“Se pse autobusët nuk mund të marrin karburant nuk mund t’ju përgjigjem, sepse kontratën nuk e ka bërë ndërmarrja publike, por Komuna e Tetovës. Deri në Vitin e Ri, Komuna e Tetovës na paguan karburantin.” tha Darko Spirovski.

Siç ai njoftoi, kontrata është vazhduar para pak orësh dhe se autobusët funksionojnë.

Për këtë problem, kontaktuam edhe kabinetin e kryetarit të ri të sapo zgjedhur të Tetovës, Billall Kasamit, nga ku thanë se “kjo ngjarje është argument i fuqishëm se si udhëheqja paraprake e ka lënë gjendjen e komunës.”

“Shumë shpejt do të konsultohemi me udhëheqsinë e ndërmarrjes “Tetova Transport” dhe do të mundohemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme, e cila do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe jo të individëve.” thanë nga kabineti i Bilall Kasamit.

Ndërkaq, për atë se pse autobusëve vu u ndalua furnizimi me karburant, nuk morëm përgjigje.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të muajit gusht. Megjithatë, problemi me kaosin në komunikacion në këtë qytet ende nuk është zgjidhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button