RMV, plot 17 vjet pritet ndërtimi i deponive rajonale, BE kërkon aksion nga autoritet
2Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë hapa të rëndësishëm vitin e ardhshëm për të themeluar sisteme rajonale për menaxhim me mbeturinat. Ky është rekomandimi i qartë i Komisionit Evropian drejtuar autoriteteve të Maqedonisë në Raportin për progresin e realizuar reformues të vendit për vitin 2021, në pjesën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Komisioni Evropian vëren në raport kapacitetin e dobët administrativ, zbatimin e ulët dhe bashkëpunimin e kufizuar ndërsektorial, të cilat mbeten pengesa kryesore për progresin në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Gjithashtu, nga përmbajtja e Raportit mund të konstatohet që vendi i sjell rregullisht në kohë dokumentet strategjike, por zbatimi i tyre në praktikë mbetet i dobët.
Kështu, Plani Kombëtar për menaxhim të mbetjeve (2021-2031), si dhe Plani Kombëtar për parandalim të krijimit të mbetjeve deri në vitin 2027 janë gati, por ka një problem me zbatimin e tyre.
Komisionit Evropian vë në pah se krijimi i sistemeve rajonale për menaxhim të mbetjeve vazhdimisht po përballet me vonesa.
“Deponitë jo standarde komunale dhe ilegale mbeten çështje e rëndësishme ekologjike”, thuhet në Raport.
Në Maqedoninë e Veriut, proceset për ripërdorimin e materialeve, parandalimin e gjenerimit të mbeturinave mbeten të kufizuara, kurse të kufizuara janë edhe instrumentet ekonomike për promovimin e riciklimit të mbeturinave.
Toni kritik në Raportin për ecurinë e reformave të vendit në aspekt për menaxhim të mbetjeve nuk është befasi. Ka plot 17 vjet që Maqedonia e Veriut po përpiqet të krijojë sisteme rajonale për menaxhim të mbeturinave, të cilat përfshijnë ndërtimin e deponive të reja rajonale sipas standardeve evropiane, por vendi deri më sot nuk ka arritur të përfundojë një projekt të tillë.
Ka më shumë se një vit që “Meta.mk” dhe “Portalb.mk ” i përcjellin vërejtjet e Komisionit Evropian në fushën e sistemeve rajonale për menaxhim të mbeturinave. Sipas rajoneve, është shkruar për situatën në terren direkt nga deponia e Rusinos, e cila në të ardhmen duhet të shndërrohet në një deponi moderne sipas standardeve të BE-së për rajonin planor të Pollogut.
Në periudhën e kaluar është shkruar edhe për vonesën e shpalljes së tenderit për ndërtimin e impianteve moderne të trajtimit të mbeturinave me deponi të re rajonale në komunën e Sveti Nikollës, që do t’u shërbejë qytetarëve të rajonit planor Verilindor dhe Lindor.
“Meta.mk” dhe “Portalb.mk” kanë shkruar edhe për anulimin e synimit të autoriteteve për ndërtimin e deponisë rajonale në komunën e Debarcës për rajonin planor Jugperëndimor, si dhe njoftimin e fundit se një pjesë e minierës “Suvodol” në REK “Manastir”do të shndërrohej në deponi moderne rajonale për rajonin planor të Pellagonisë dhe Jugperëndimit. Rreth problemeve me të cilat përballet deponia e vetme rajonal me A leje të integruar ekologjike në vend – deponia “Drisla” për rajonin planor të Shkupit gjithashtu kemi shkruar në periudhën e kaluar.
Megjithatë, në vitin 2021 qeveria qendrore arriti të bënte disa hapa përpara në krijimin e sistemeve rajonale për menaxhim të mbetjeve. Komunat nga rajoni planor Lindor dhe Verilindor pranuan pajisje të reja, automjete dhe kontejnerë për depozitimin dhe përzgjedhjen e mbetjeve për të 18 komunat, ndërsa në deponinë “Rusino” janë realizuar masat e shpejta përmirësuese të këtij lokacioni.
Qeveria pranverën e kaluar kërkoi një kredi prej 55,3 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)për ndërtimin e pesë deponive rajonale në vend sipas standardeve të BE-së, ndërsa në komunën e Negotinës është gjetur lokacion dhe një investitor privat i cili është i interesuar për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e mbeturinave komunale për prodhimin e energjisë elektrike.
Deponitë gjithashtu kanë ndikim negativ në ndryshimet klimatike
Nga “Eko vetëdija” (Eko-svest) për Meta.mk theksojnë se moszgjidhja e problemit me deponitë komunale nuk ndikon vetëm në ndotjen e tokës dhe ujërave, por edhe në emetimin e gazrave serë për shkak të lëshimit të pakontrolluar të metanit në atmosferë.
“Sipas inventarit më të fundit kombëtar të gazrave serrë për vendin tonë, sektori i mbetjeve është një nga sektorët me emetimet me rritje më të shpejtë. Arsye për këtë është fakti se nuk kemi deponi rajonale me sistem riciklimi, kurse për pasojë mungon edhe sistem për seleksionimin e mbeturinave në nivel të vendit”, thanë për Meta.mk nga “Eko-vetëdija”.
Nga “Qendra për kërkime dhe informim për mjedisin jetësor” shtojnë se ajo që duhet të sigurohet nga politikat dhe legjislacioni për sektorin e mbetjeve është ngritja e sistemit për ndarjen e mbetjeve në disa fraksione (plastikë, qelq, kanaçe, letër) me qëllim reduktimin e mbetjeve që i gjenerojmë ne.
“Eko-vetëdija” shton se edhe nëse kemi legjislacionin dhe politikat më të mira në nivel qendror, komunat janë ato që do të duhet të marrin përgjegjësi më të madhe në zbatimin e duhur të këtyre ligjeve dhe politikave, duke përfshirë edukimin dhe informimin përkatës të qytetarëve tyre.
“Për mendimin tonë, është vërtet turp në vitin 2021 që ende të flitet vetëm për përzgjedhjen primare të mbetjeve (të thata dhe të njoma) në vend të më shumë fraksioneve dhe është edhe më e turpshme që këto ditë mes qytetarëve të diskutohet për rritjen e ardhshme të çmimit të qeseve plastike, të cilat në shumë vende tashmë janë të ndaluara për t’u përdorur, për të mbrojtur mjedisin dhe klimën tonë”, theksojnë nga Eko-vetëdija.