SHTATË “MËKATET SOCIALE” (I)

“Aftësia jonë më e madhe nuk është ta ndryshojmë botën, por ta ndryshojmë veten.”

Gandhi

Temë e këtij shkrimi janë “shtatë gabimet e botës” sipas Mahathma Gandhi-t (1869-1948), një nga figurat më të fuqishme të shekullit të kaluar, lider botëror i aftë (gifted world leader), baba i idesë dhe aktvizmit të rezistencës paqësore, i hyrë në anale me gandizmin. Këto shkarje apo mëkate renditen në listën që gjyshi Gandhi ia pat dorëzuar të shkruara në një copë letër në ditën e fundit të takimit të tyre, nipit, Arun Gandhit, shumë pak para ekzekutimit në vitin 1948. Kjo pasqyrë e negativiteteve që sjellin ferrin social paraprakisht, 23 vite para vdekjes së Gandhit, ishte botuar në javoren “Young India”, 22 tetor 1925. Këto gabime ai i detektoi në kërkim e sipër të rrënjëve të dhunës aktive njerëzore, dhe i pati quajtur si dhunë pasive (passive violence).  Bëhet fjalë për “mëkatet vrastare” (deadly sins) në vijim:

  • Pasuria pa punë.
  • Kënaqësia pa ndërgjegje.
  • Dija pa karakter.
  • Tregtia pa moral.
  • Shkenca pa humanitet.
  • Adhurimi për syefaqje.
  • Politika pa parime.

Këto gjetje faktike që vlejnë edhe për kohën dhe shoqërinë tonë. Detektuar në kontekstin indian por që i shohim, vërejmë dhe konstatojmë edhe në mesin tonë. I rastisim thuajse së çdo pëllëmbë të vendit tonë dhe më gjerë. Këto mëkate na kanë pllakosur dhe s’na lënë të lëvizim, të ecim përpara, të zhvillohemi si komunitet, si komb, si njerëzim. Gilbert Steven këtyre u ka shtuar edhe katër të tjera, plus edhe një të Arun Gandhi-t, duke nxjerrë kështu shifrën dymbëdhjetë: të drejta pa përgjegjësi, teknologji pa orientim, lidhje pa bashkësi, mësimdhënie pa kënaqësi, mësim/nxënie pa shpresë.

Vërtet sot si në planin lokal ashtu edhe në atë global kemi njerëz që janë bërë të pasur pa punë, njerëz që i deprimojnë ata që punojnë në mënyrë të natyrshme, që përpiqen natë e ditë, por s’arrijnë të bëjnë pasurinë e “të gjindshmëve”, të të zotëve, që pa lodhje bëjnë milionat. Kjo kategori pasanikësh shkatërrojnë unin produktiv dhe kreativ të brezave, thyejnë vetëbësimin e tyre. Që është më e keqja ata aplaudohen dhe konsiderohen si “të zgjuarit tanë.” Këta individë që i ka mbuluar harami, i lëvizin figurat e shahut si të duan, blejnë gjëra materiale, hanë gjërat më të shtrenjta, vishen firmato, jetojnë nëpër vila, bashkëjetojnë me femrat që dëshirojnë. Me një fjalë bëjnë “jetë ëndrrash” (!)  pa një orë punë, pa kurrfarë karriere. Këta janë vrasësit e të rinjve, katilët e ardhmërisë.

Mëkati i dytë, kënaqësia pa ndërgjegje nënkupton synimin për t’u kënaqur pa përgjegjësi ndaj Zoti, të tjerëve dhe vetes. Ajo nuk mund të merret thjesht vetëm si shmangie e dhembjes, përkundrazi shpesh nxirret nga vetë dhembja. Në shumë raste mund të përjetojmë kënaqësi duke iu ndihmuar nevojtarëve, duke ia mësuar shkrim-leximin një analfabeti, duke mbrojtur një person nga dhuna, duke hyrë në një shtëpi të kapluar nga zjarri për të shpëtuar një plak. Askush pa ndërgjegje, që nënkupton “depon e të vërtetave dhe parimeve të përjetshme – monitoruesi i brendshëm i ligjit natyror” (Covey), s’mund t’i bëjë këto veprime që sjellin vuajtje por që me vete tërheqin satisfaksionin. (Grover, 2015)

Dija pa karakter ose shkenca pa humanitet. Shumë pedagogë thonë se edukimi i karakterit është baza e formimit të individit, se fëmijët së pari duhet të mësojnë sjelljen e duhur dhe më vonë të lejohen të pyesin, analizojnë dhe kritikojnë, se te ata duhet ndërtuar një balanc mes karakterit  dhe intelektit. Atyre në fillim duhet  mësuar vlera si ndershmëria, vetëmohimi, përkushtimi në detyrë, zelli, guximi, drejtësia, patriotizmi…  (Noddings, 2016) Dituria pa karakter e bën njeriun arkë dijesh dhe informacionesh që mund të shfrytëzohen për qëllime jonjerëzore, e bën dijësin të pashpirt, rigid, dëmtues, e bën që të jetë në gjendje të bëjë të pamenduarën, të marrë vendime joetike që dëmtojnë interesin e të tjerëve. Sikurse që është e dëmshme dituria e paktë, injoranca, po aq është edhe dituria e shumtë pa karakter. Kjo është sikurse t’ia japësh një veturë super-sportive një adoleshenti nën ndikimin e lartë të drogës. (Covey) Një shkollar pa karakter mund të godasë nxënësit, të mbështesë padrejtësinë, pushtetin kriminel, të “vjedhë” materiale të huaja, të bëjë plagjiaturë, të abuzojë me notat, me studentët, të korruptohet etj. Një mik para disa ditësh tregoi edhe gabimin e vet po edhe të një mjeku: pas operacionit të resë së vet doktorit i kishte ofruar 2000 euro dhuratë dhe ai kishte marrë “vetëm 500”. Ky është profili i mjekut pa karakter, i dijetarit të pacipë, i shkencës pa humanitet.  Shkenca dhe dija pa humanitet janë të kota, ofrojnë benefite të çastit të cilave më pas ua shohim sherrin si lloj human dhe më gjerë. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button