Shqipëri, Turqi, nuk e lëmë pa u përzi
Në emisione televizive, opinione të shkruara, apo edhe biseda informale, shpesh na ndodh të dëgjojmë miq nga Shqipëria ose Kosova që na tregojnë se si është më mirë e më drejtë të veprojnë shqiptarët e Maqedonisë. E përbashkëta e tyre, me përjashtime të rralla, është se personat në fjalë dijnë fare pak për problemet tona reale, nuk njohin sistemin politik në vend, historinë e pluralizmit në Maqedoni, hallet e përditshme me të cilat përballemi, nga vjen e çka përfaqëson njëra apo tjetra parti shqiptare e kështu me rradhë. Aq më pak dijnë për partitë maqedonase, që realisht kanë peshë më të madhe politike dhe prej të cilave më së shumti varet ardhmëria e shtetit, duam apo s’duam t’a pranojmë ne. Prandaj, pa marrë parasysh qëllimin, ne me të drejtë revoltohemi kur ndonjëri nga ta merr edhe guximin të na tregojë se kënd duhet t’a votojmë e përkrahim në zgjedhje, sepse i bie sikur ne që jetojmë këtu nuk dijmë gjë prej gjëje dhe është më mirë të na udhëzojnë prej anash. Nga ana tjetër edhe ne bëjmë të njëjtin gabim, gjë që sidomos shihet kohët e fundit me protestat në Turqi dhe zgjedhjet në Shqipëri.
Ngjarjet në Turqi përsëri kanë hedhur në sipërfaqe debatin e vjetër mes “islamistëve” dhe “sekularistëve”, të personifikuar te Erdogani nga njëra anë dhe Ataturku nga tjetra. Shkak fillestar i protestave ishte rrënimi i një parku, por gjithnjë e më tepër ato u shëndruan në revoltë të përgjithshme ndaj autokratizmit në rritje të Erdoganit. Këtu qëndron edhe thelbi i problemit: protestat kanë të bëjnë me çështje të brendshme të Turqisë, me mënyrën se si udhëheq Erdogani me vendin! Në një analizë të shkëlqyeshme këtë e konstaton edhe Ekonomisti londinez, i cili problemin e Erdoganit e njëson me atë të Theçërit, Reganit e Bush Seniorit. Këta burrështetas kanë patur sukses të madh ekonomik dhe në arenën ndërkombëtare, por kjo i ka bërë të verbër ndaj problemeve brenda në vend. Viktimë e të njëjtit fenomen mund të ketë rrënë edhe Erdogani. Askush nuk mohon suksesin e tij në sferën ekonomike dhe politikën e jashtme, por është e qartë se brenda në vend diçka nuk shkon dhe se protestat kanë të bëjnë me pikërisht me këto probleme të brendshme.
Erdogani siç duket gëzon përkrahje të madhe edhe te ne, por nuk është i paktë as numri i atyre që kanë simpati për opozitën dhe protestuesit. Këtë patëm mundësi t’a shohim edhe grafikisht në tubimet e organizuara këtu, së pari në mbështetje të protestuesve e pastaj të Erdoganit. Megjithëse duhet të respektohet e drejta e çdokujt për tubime, protesta e manifestime të përkrahjes, për mendimin tim tubimet ishin të panevojshme sepse për ne pikë së pari është me rëndësi politika e jashtme e Turqisë dhe gjendja e saj ekonomike (për shkak të lidhjeve ekonomike që kemi me të). Prandaj, përderisa ballafaqimi në Turqi bëhet për probleme të brendshme të vendit, çdo lloj animi publik nga jashtë do të thotë përzierje në punët e brendshme të saj. Turqia ka qenë shtet i yni mik edhe para Erdoganit, edhe gjatë kryesimit të tij dhe do të vazhdojë të jetë edhe pas tij. Lidhja jonë me të nuk duhet të kushtëzohet nga fakti se kush është atje kryeministër. Ne duhet të respektojmë institucionin kryeministër të Turqisë dhe jo figurën që okupon atë pozitë.
Shumë më me rëndësi për ne është situata në Shqipëri, ku këto ditë duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare të rradhës. Në raport me Shqipërinë qëndrimi i shqiptarëve të Maqedonisë është i qartë; këtu Sali Berisha dhe Partia Demokratike sigurisht favorizohen me mbi 95%. Paradoksalisht, edhepse Partia Socialiste rregullisht merr afër 50% të votave në Shqipëri dhe këtë rradhë ka gjasa reale t’i fitojë zgjedhjet, pjesa dërrmuese e shqiptarëve të Maqedonisë e konsiderojnë atë pro-greke, pro-serbe, ose thënë thjeshtë tradhëtare. Natyrisht çdonjëri ka të drejtën të mendojë si të dojë, e pse jo edhe t’a shprehë mendimin publikisht. Por është e pandershme kur kjo shoqërohet me thirrje të hapura për të votuar njërën apo tjetrën palë në Shqipëri. Fundja kjo është ofendim për qytetarët e Shqipërisë që i njohin Berishën dhe Ramën shumë më mirë se ne dhe që në mënyrë direkte ballafaqohen me vendimet që marrin ata në pushtet.
Çështje kyçe për shqiptarët e Maqedonisë janë politikat e Shqipërisë kundrejt Maqedonisë. E në këtë drejtim mund të themi se me përjashtim të disa deklaratave bombastike të Sali Berishës, Shqipëria ka patur një politikë konstante dhe qeveritë socialiste e demokrate nuk kanë dalluar shumë nga njëra tjetra. Këtë rradhë tema e shqiptarëve jashtë shtetit, qoftë në Maqedoni ose Kosovë, nuk është aspak prezente në fushatën elektorale. Debati zgjedhor po zhvillohet kryesisht për çështje sociale dhe ekonomike, e një vend të tretë të largët merr çështja e integrimit të Shqipërisë në BE. Prandaj, përderisa në fushatë janë dominante këto tema, nuk ka asnjë arsye pse ne duhet të favorizojmë publikisht njërën apo tjetrën palë. Ne duhet të lëmë qytetarët shqiptarë të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe të pranojmë verdiktin që do të sjellin ato. Shqipëria do të mbetet Shqipëri pa marrë parasysh nëse kryeministër është Berisha ose Rama. Ne duhet të respektojmë institucionin kryeministër të Shqipërisë dhe jo figurën që okupon atë pozitë.
Në kohë zgjedhjesh na pengojnë ndërhyrjet nga jashtë, sepse duam vetë të zgjedhim se kënd e duam në qeveri. Më tutje presim nga miqtë tanë të respektojnë zgjedhjen tonë dhe të vazhdojnë të na mbështesin pa marrë parasysh se si kemi zgjedhur. Këtë rradhë duhet që ne të bëjmë të njëjtën gjë për ta. Prandaj ti lëmë shqiptarët të zgjedhin vetë qeverinë e tyre dhe turqit të zgjidhin vetë problemet e tyre.
Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre