Bekteshi: Nuk ka krizë energjetike, çmimi nuk do të rritet deri në fund të vitit

Deri në fund të vitit do të ketë sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike dhe dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se deri në fund të vitit nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë. Sot realizova takim me të gjitha palët e përfshira në sektorin  energjetik në kuadër të mbledhjes së parë të Komisionit për krizë  elektroenergjetike dhe sipas të gjitha informacioneve nga ata nuk është marrë asnjë vendim për shpallje të krizës së elektro energjetike në vend. Kështu deklaroi ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi pas mbledhjes së Komisionit për Krizë elektroenergjetike, përcjell Portalb.mk.

Në të morën pjesë përfaqësues të prodhuesve më të mëdhenj të energjisë elektrike në vend, bartës i licencës për prodhim të energjisë elektrike, bartësi i licencës për transmetimin e energjisë elektrike, bartës i licencës për distribuimin e energjisë elektrike, Komisioni Rregullator i Energjetikës, një ekspert i fushës dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë.

Ky komision thirret nga Ministri i ekonomisë në përputhje me dekretin për kriteret dhe kushtet për shpalljen e gjendjes së krizës elektro-energjetike, mënyrën e furnizimit me energji elektrike, masat që duhet të ndërmerren në rast krize, si dhe të drejtat dhe detyrimet e bartësve të licencave për kryerjen e veprimtarive energjetike.

Detyra kryesore e këtij komisioni është monitorimi, analiza dhe vlerësimi i vazhdueshëm i gjendjes me elektro-energjetike në Maqedoninë e Veriut dhe gjendjen elektro- energjetike elektrike në vendet fqinje dhe ka për detyrë ta informojë ministrin.

“Qeveria tashmë ka ndërmarrë masa të parakohshme, si uljen e TVSH-së. Fatkeqësisht, ligji i propozuar nga Ministria e Mjedisit në fushën e taksës ekologjike nuk kaloi, në mënyrë që sa më shumë mjete të mund të përdoren në këto kompani energjetike. Por për momentin vlerësojmë se nuk ka nevojë për masa, sipas informacioneve që kemi. Këto informacione thonë se deri në fund të vitit kemi sasi të nevojshme të energjisë elektrike që mund t’ua dorëzojmë amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël. Çmimet nuk do të rriten, sasitë janë siguruar. Si qeveri jemi të gatshëm të ndihmojmë ESM-në dhe MEPSO-n në rast se ka nevojë për blerjen e energjisë elektrike nga tregu i lirë”, tha ministri Bekteshi.

Ministri theksoi se shteti garanton çmimin e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht nuk do të ndryshojë deri në fund të vitit.

“Janë aktivizuar të gjitha resurset vendore, që nga sot blloku i dytë në REK Manastir tashmë është në funksion për të siguruar nevojat totale të qytetarëve. Janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet për aktivizimin e bllokut të tretë të REK Manastir me prokurimin e sasive shtesë të thëngjillit, me çka do të riaktivizohet përsëri edhe  edhe TC Osllomej, si dhe është bërë komunikimi për gatishmëri për blerjen e naftës për TC Oslomej”, deklaroi ministri Bekteshi dhe theksoi se situata po monitorohet, mbahen takime të rregullta ndërmjet të gjithë palëve në sektorin energjetik për të gjetur zgjidhjet më optimale për problemin që lind kryesisht në tregjet botërore të energjisë elektrike.

Ndryshe, për shkak krizës energjetike, shtetet evropiane kanë filluar të ndërmarrin masa. Spanja ka miratuar masa urgjente për të zvogëluar faturat e energjisë, Greqia do të ofrojë subvencione për shumicën e familjeve deri në fund të vitit, për t’i bërë kostot e energjisë elektrike më të përballueshme, Italia mund të rishikojë mënyrën e llogaritjes së faturave të energjisë elektrike, në Gjermani, çmimet e energjisë janë bërë temë debati në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit, ndërkaq Britania, ka vendosur kufi për tarifat e energjisë më të përdorur qysh në vitin 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button