Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot në seancë publike duhet t’i shpallë rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve për kryetarë dhe këshilltarë në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit, njofton Portalb.mk.
Pritet që kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, në seancën zyrtare të shpallë se në cilat komuna do të votohen kryetarët e komunave në rrethin e dytë të zgjedhjeve dhe ku do të përsëritet votimi nga rrethi i parë i zgjedhjeve. Duhet të shpallet zyrtarisht edhe numri i këshilltarëve që partitë dhe listat e pavarura fituan në zgjedhjet e së dielës.
Sipas rezultateve paraprake, në raundin e parë të 17 tetorit janë zgjedhur kryetarë komunash në 34 komuna. Në 44 të tjera, më 31 tetor do të mbahet raundi i dytë dhe në qytetin e Shkupit, ndërsa në dy komuna – Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë do të rivotohet sepse në rrethin e parë nuk është arritur pragu i votimit për të marrë së paku një të tretën e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore.
Afati për paraqitje për votim në rrethin e dytë të zgjedhjeve të personave me Kovid-19 dhe në izolim skadon më 25 tetor.
Personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, persona e sëmurë me Kovid-19 dhe në izolim si dhe të burgosurit, personat në paraburgim dhe në shtëpitë e të moshuarve votojnë një ditë para zgjedhjeve, më 30 tetor.
Ndryshe, rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahet me 31 tetor.