Site icon PORTALB

RMV, auditorët kërkojnë që t’iu ndalohet pagesa e parave buxhetore për fushatën zgjedhore pjesëmarrësve që nuk i tregojnë donatorët

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Rreth 84 prej 122 pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore në zgjedhjet lokale në vend nuk kanë dorëzuar raporte brenda afatit të përcaktuar ligjor ose me përmbajtjen e përcaktuar me ligj në Entin Shtetëror të Auditimit (EShA). Për këtë arsye, auditorët kanë dorëzuar propozim në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve që të ndalojë pagesën e mjeteve nga buxheti i shtetit për kompensimin e shpenzimeve për financimin e fushatës zgjedhore për këta pjesëmarrës në zgjedhjet lokale, përcjellë Portalb.mk.

Siç informojnë nga EShA, rreth 64 pjesëmarrës në fushatën zgjedhore nuk i kanë dorëzuar raportet për donacionet e pranuara në llogarinë e tyre brenda afatit të përcaktuar ligjor, përderisa 20 nga 122 pjesëmarrës nuk kanë e dorëzuar raportin e tillë me përmbajtjen e përcaktuar me ligj.

Nga EShA thonë se të gjithë pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore me kohë ua kanë bërë të ditur dhe njoftuar të për obligimet e parapara me ligj për secilin prej pjesëmarrësve në fushatë.

“Duke pasur parasysh se sipas nenit 76-e të Kodit Zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i paguan shpenzimet për reklamat politike të publikuara me pagesë në bazë të faturës së dorëzuar nga transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (internet portalet) në afat prej 30 ditësh nga momenti i publikimit të rezultateve përfundimtare, Enti Shtetëror për Auditim theksoi nevojën për të gjithë që pjesëmarrësit në Fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 që ende nuk i kanë dorëzuar raportet, ndërsa kanë qenë të obliguar, të njëjtën ta bëjnë në periudhë sa më të shpejtë”, thonë nga EShA.

Përndryshe, në ueb faqen e EShA-së mund të shihen raportet e donacioneve të pranuara për financimin e fushatës zgjedhore vetëm për ato parti politike, koalicione dhe një grup votuesish që kanë kryer detyrën e tyre ligjore. Në ueb-faqe janë publikuar 37 raporte për donacionet e marra nga pjesëmarrësit në zgjedhjet lokale nga dita e njëmbëdhjetë e fushatës zgjedhore deri në përfundimin e saj në raundin e parë, si dhe 48 raporte në të cilat mund të shihen donatorët nga dita e hapjes së llogarisë transaktive deri në ditën e dhjetë të fushatës zgjedhore.

Listën e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore që e kanë përmbushur afatin ligjor mund ta shihni këtu.

Exit mobile version