Site icon PORTALB

Kosovë, Ligji për zgjedhjet lokale: Raundi i dytë pas katër javësh

Zgjedhje Kosovë, Foto: Anadolu Agency

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21 komuna të Kosovës do të duhet të zhvillojnë raundin e dytë të zgjedhjeve, për ta kuptuar emrin e kryetarit, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor dhe 17 komuna kanë zgjedhur kryetarët e tyre për mandatin e radhës, në raundin e parë.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë KQZ-ja duhet të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.

Sipas këtij Ligji, raundi i dytë mbahet katër javë pas mbajtjes së raundit të parë.

Ndryshe, në këto zgjedhje gjithsej 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë kanë pasur të drejtë vote. Këto zgjedhje për kryetarë të 38 komunave janë të pestat me radhë, ndërsa për anëtarët e Kuvendeve Komunale janë të shtatat me radhë, që nga mbajtja e parë e tyre në periudhën e pasluftës në Kosovë, në vitin 2000.

Exit mobile version