Site icon PORTALB

Disa misionarë të krishterë amerikanë janë rrëmbyer në Haiti

Haiti

Të paktën 15 shtetas amerikanë janë rrëmbyer në Haiti, raporton BBC, transmeton REL.

Incidenti ka ndodhur pranë Port-au-Prince të Haitit kur një bandë e armatosur ka rrëmbyer një grup misionarësh amerikanë dhe anëtarët e familjes së tyre, përfshirë fëmijë. Ata u zbritën nga një autobus pasi vizituan një jetimore, thanë burimet e sigurisë të Haitit për mediat.

Ende nuk dihen shumë detaje, por zyrtarët amerikanë thanë se ishin në dijeni të raporteve.

Bandat e armatosura kanë kontrolluar zonat më të varfra të kryeqytetit të Haitit prej vitesh. Kohët e fundit ata kanë zgjeruar kontrollin e tyre në pjesë të tjera të kryeqytetit të Haitit Port-au-Prince dhe zonat e tij periferike.

Haiti ka një nga nivelet më të larta të rrëmbimit në botë, pasi bandat e fuqishme shfrytëzojnë situatën e brishtë të funksionimit të ligjit për të fituar para nga pagesat e shpërblimit.

Që nga vrasja e presidentit, Jovenel Moise në korrik, fraksionet rivale janë përpjekur të marrin kontrollin dhe mungesa e sigurisë është rritur.

Misionarët e krishterë u kapën menjëherë pasi u larguan nga një qytet dhe vazhdojnë të mbahen nga bandat, sipas një burimi të sigurisë të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

Ministria e Drejtësisë e Haitit dhe Policia Kombëtare nuk kanë komentuar raportet.

Qeveria amerikane ende nuk ka dhënë ndonjë informacion për incidentin, por Departamenti i Shtetit i tha AFP-së se ishte njoftuar me raportet dhe se siguria e qytetarëve amerikanë jashtë vendit është një nga përparësitë kryesore.

Exit mobile version