KSHZ me rekomandime: Skanerët për gjurmë të gishtave të pastrohen, ndërsa qytetarët të shtypin më fortë
Për shkak të problemeve me pajisjet biometrike të identifikimit, votimi u ndërpre në disa vendvotime, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, njofton Portalb.
Ata thonë se problemet kanë të bëjnë me menaxhimin e pajisjeve dhe mosnjohjen e shenjave të gishtërinjve të votuesve, ndërsa në disa vendvotime kishte probleme teknike me vetë pajisjet, të cilat u zëvendësuan me të reja.
Aty ku pajisjet nuk mund të zëvendësohen, votimi bëhet në mënyrën e vjetër.
“Problemet po tejkalohen gjatë punës, duke komunikuar me personat teknikë që janë në terren. Sa i përket cilësisë së dobët të bazës së të dhënave të gjurmëve të gishtërinjve, si pasojë, problemi më i zakonshëm në vendvotimet është mosnjohja e gjurmëve të gishtërinjve të qytetarëve. Është parashikuar, me ligj, që në një raste të tilla procedura të vazhdojë me skanimin e dokumenteve personale në vetë skanerin i cili është pjesë e pajisjeve të gjurmëve të gishtërinjve ose duke futur numrin unik identifikues të zgjedhësit”, tha zëdhënësja e KSHZ -së, Lupka Guguçevska.
Guguçevska tha se KSHZ i ka udhëzuar Këshillat Zgjedhorë që të pastrojnë rregullisht skanerin ku vendoset gjurma e gishtit, ndërsa votuesit të shtypin më fortë kur e lënë gjurmën e gishtit në skaner.
Për të përshpejtuar procesin, nëse zgjedhësi nuk mund të identifikohet dy herë përmes sistemit të identifikimit biometrik, procesi vazhdon duke skanuar dokumentin personal ose duke futur numrin e ID për të kërkuar zgjedhësin, thonë nga KSHZ.
Në vendet ku është ndërprerë procesi zgjedhor, votimi do të zgjatet për aq kohë sa është ndërprerë procesi, por jo më shumë se 3 orë.
“Kemi ndërprerje të votimit në më tepër vendvotime. Nëse ndërprerja ka qenë më pak se 1 orë, votimi do të përfundojë në orën 19:00, nëse ndërprerja ka zgjatur nga 1 deri në 3 orë, do të zgjatet për aq kohë sa ka zgjatur ndërprerja. Deri më tani nuk kemi informacion se diku ka pasur ndërprerje prej më shumë se tre orësh “, tha Guguçevska.