Të rinjtë nga komunat Çair, Aerodrom, Karposh, Kisela Voda, Kumanovë dhe Prilep dorëzuan projekte konkrete të gjelbra tek kandidatët për kryetarë të ardhshëm të këtyre qeverive lokale. Përmes projektit “Eko-Aktivizmi Dixhital Rinor për Komunat e Gjelbra”, shoqata mjedisore “Go Green” arriti të përfshijë të rinjtë për të dhënë idetë dhe sugjerimet e tyre për zhvillimin e ardhshëm të komunave, por edhe për të detyruar përfaqësuesit e partive dhe kandidatët e pavarur që të përmbushin angazhimet e të rinjve në mandatin e tyre katërvjeçar.
Anila Murati, një prej vullnetareve të projektit për eko-aktivizmin e të rinjve në Çair nga “Go Green” për “Portalb.mk” shpjegon se nga të rinjtë ka pasur interesim të madh për projekte të gjelbra. Rreth 100 të rinj aplikuan me idetë e tyre për ndonjë ndryshim në komunën e Çairit, por, vetëm 10-të u pranuan.
“U munduam të zgjedhim 10 projektet më të mira, të cilat pamë që mund të realizohen nga ana e komunës. Po i përmend disa nga projekte e përzgjedhura si: riparim i fontanës në Parkun e Çairit, të riparohet parku rreth poliklinës së Çairit, riparimin e disa asfalteve dhe shumë të tjera.” tha Anila Murati.
Ajo shton se edhe pas përfundimit të dy raundeve zgjedhore të zgjedhjeve lokale, kryetarët e ardhshëm të komunave do ta mbajnë fjalën.
“Momentalisht jemi në euforinë e zgjedhjeve. Por, ne e pamë që çdo kandidat potencial për kryetar në planprogramin e tyre kishin të përfshirë eko-projekt. Ne na konvenon kjo gjë për arsye se kjo tregon që ne me çdo kryetar që do të fitojë, do kemi bashkëpunim të mirë.” u shpreh Anila Murati.
Përveç Çairit, të rinjtë në pesë komunat e tjera u kërkuan kryetarëve të ardhshëm të komunave të zbatojnë projekte specifike.
Pra, në Kisela Voda, të rinjtë kërkojnë shtigje biçikletash në të gjithë komunën, si dhe rinovimin e parkut në qendër të Draçevës, por edhe për të bërë një plan për përzgjedhjen dhe kompostimin e mbeturinave. Më shumë rreth propozimeve të të rinjve nga Kisela Voda mund të lexoni këtu.
Të rinjtë nga Aerodromi, nga ana tjetër, i kërkojnë kryetarit të ardhshëm të rregullojë kanalin në vendbanimin e Lisicës, i cili është i mbingarkuar me bar dhe plot mbeturina. Ata po kërkojnë gjithashtu pastrimin e deponive ilegale, veçanërisht në Novo Lisiçe, si dhe parkingje për biçikleta.
Të rinjtë nga Karposhi kërkojnë mbjellje të pemëve rreth City Mall, kosha për selektimin e mbeturinave, ndërtimin e një fabrike kompostimi, parkingje për biçikleta dhe rinovim i urës së Kombeve të Bashkuara.
Nga kryetari i ardhshëm i Kumanovës, të rinjtë kërkojnë zhvendosjen e deponisë nga vendbanimi Sredorek, si dhe shtigje biçikletash në rrugët Goce Delchev dhe Done Bozhinov.
Ndër propozimet e paraqitura nga të rinjtë në Prilep, pas zgjedhjeve lokale, kryetarit të Prilepit i kërkohet të ndërtojë një shteg biçikletash nga vendbanimi Varosh në spital, si dhe ndërtimin e një parku për kafshë dhe plehrash në periferi të qytet
“Go Green” gjithashtu ka prodhuar një broshurë si pjesë e projektit, përmes së cilës të rinjtë në vend kanë mundësinë të mësojnë se çfarë janë komunat e gjelbra dhe se ka mjete demokratike për t’u përfshirë në diskursin publik, në të cilat ata mund të bëjnë ndryshimin.
Projekti “Eko-Aktivizmi Rinor Dixhital për Komunat e Gjelbra” financohet nga Fondacioni Heinrik Ball, dega rajonale e të cilit ndodhet në Bosnjë dhe Hercegovinë.