Banka Popullore në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se në vend ka filluar të rritet përdorimi i shërbimeve elektronike gjatë shërbimeve bankare, transmeton Portalb.mk.
“Nëse para dy vjetëve, një nga katër pagesat është kryer në formë elektronike, ndërsa tre tjerat në sportelet e bankave në letër, nga viti 2020 dhe pjesën e parë të vitit 2021, çdo e treta pagesë kryhet në formë elektronike”, deklaroi zëvendësguvernatorja Emilija Nacevska.
Ajo vlerësoi që qytetarët çdo ditë e më shumë janë duke shfrytëzuar përparësitë nga shërbimet elektronike që i ofrojnë këto banka, si shërbime të sigurta.
“Pandemia e ka ndryshuar mënyrën e jetesës së njerëzve, me këtë edhe mënyrën e tyre të pagesës”, deklaroi Nacevska, duke theksuar që për ruajtjen e shëndetit, ata kanë realizuar pagesa digjitale përmes aplikacioneve mobile dhe kartelave pagesore.
Në pandemi rritja e këtyre pagesave është rritur për 110 përqind, ndërsa në katër muajt e parë të këtij viti, numri i këtyre pagesave është rritur për 44% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.