Site icon PORTALB

Në Shkup u lexua monodrama “Malkony” për ngritjen e ndërgjegjësimit për kancerin në gji (VIDEO)

"Malkony" - Monodrama për ndërgjegjësimin e kancerit në gji

"Malkony" - Monodrama për ndërgjegjësimin e kancerit në gji

Me rastin e muajit të kancerit në gji, mbrëmë u lexua monodrama “Malkony” nga Taulanda Jupi. Për mbështetjen e çdo gruaje e cila po përballet me këtë sëmundje, si dhe të tjerat të cilat fatkeqësisht kanë humbur betejën me kancerin, mbrëmë u mblodhën gra dhe vajza në një vend, me qëllim të ngritjes së ndërgjegjes për këtë sëmundje, shkruan Portalb.

Ngjarja u mbajt në Teatrin Shqiptar të Shkupit, ku pas monodramës “Malkony”, publiku pati rastin ta përcjellë monologun nga shfaqja “Gratë”, në regji të Qëndrim Rijanit. Pjesë e panelit ishin katër gra, të cilat sollën një emocion shumë të madh te publiku, e ato ishin Taulanda Jupi, Adelina Marku, Teuta Ajdini dhe Vala Adili.

“Ti ke mundësi të zgjedhësh, duaje veten, zgjidh jetën” – ishte motoja e këtij evenimenti.

Monodrama nisi me Anën, personazhi kryesor, duke kënduar këngën “Sway Me More”. Ana personifikon të gjitha gratë që vuajnë nga kjo sëmundje. Kështu katër gratë në skenë, luajtën rolin e Anës. Thelbi i tekstit nuk kishte të bëjë me anën mjekësore, por, çfarë ndjejnë këta njerëz, çfarë përjetojnë, çfarë u shkon ndërmend, çfarë emocionesh kanë, si e ndajnë me të tjerët, si i përfshijnë të tjerët, si i largojnë të tjerët, a e luftojnë, a e pranojnë realitetin? Një luftë e brendshme.

Kur dritat u ndozën, të gjitha pam lotët e njëra-tjetrës që erdhën nga emocionet e monodramës. Taulanda, Adelina, Teuta dhe Vala, i bënë që ta përjetojnë të gjithë dhimbjen e një njeriu gjatë sëmundjes së kancerit. Ajo storie mbrëmë, ndërgjegjësoi shumë vajza dhe gra!

Exit mobile version