Site icon PORTALB

Komuna e Tetovës: Kabinat e reja për autobusët nuk janë blerë, janë zëvendësuar me të vjetrat

Nënstacionet e autobusëve në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nënstacionet e autobusëve në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

U zëvendësuan stacionet pritëse për të cilat Komuna e Tetovës në nëntor të vitit të kaluar pagoi gjithsej 40,716 euro për nëntë nënstacione, apo 4,524 euro për një. Në vend të stacioneve paraprake janë vendosur kabina të reja prej xhami. Komuna e Tetovës për Portalb.mk tha se nuk është bërë blerje e re por ndërmarrja kontraktore vetëm i ka zëvendësuar të vjetrat me të reja.

Ditëve të fundit në Tetovë janë vendosur nënstacione të reja prej xhami dhe janë larguar “të vjetrat” të cilat ende nuk kanë mbushur një vit prej se u vendosën nëpër qytet, madje me çmim të lartë, i cili u kritikua dhe u ironizua nga qytetarët e Tetovës, për shkak se atë kohë autobusët ende nuk kishin arritur dhe dizajnit jo të bukur të stacioneve.

Stacionet të cilat janë zëvendësuar, sipas asaj që kamera e Portalb.mk verifikoi gjenden përgjatë Bulevardit “Iliria” dhe atij të “Ilindenit” si dhe stacioni në fshatin Poroj.

Sot që po flasim, qytetarët në rrjete sociale kanë shpërthyer përsëri me kritika ndaj Komunës së Tetovës, pasi këto stacione janë zëvendësuar me të reja nga xhami, edhe përkundër çmimit të lartë që këto stacione paraprakisht ju kushtuan qytetarëve të Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se nuk është bërë blerje e re për këto stacione.

“Kompania kontraktore vetëm i ka zëvendësuar stacionet e mëparshme me të reja. Nuk ka blerje të reja.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Të pyetur për atë se ku do të dërgohen stacionet që janë hequr nga komuna thanë për to kujdeset kompania kontraktore.

Kështu duken nënstacionet e reja:

Nënstacionet e autobusëve në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kështu dukeshin nënstacionet paraprake:

Exit mobile version