RMV, hedhurinat nga shkrirja e hekurit të vjetër në “Makstill” do të përdoret si material ndërtimor

Skoriet mbeturina, që fitohen gjatë procesit të shkrirjes së hekurit të vjetër në fabrikën “Makstill” në Shkup do të përdoret si lëndë për prodhim të tamponit për asfaltim të rrugëve dhe si zëvendësim i pjesshëm i çimentos në prodhimin e blloqeve prej betoni. Novacioni, që sot u promovua në suazat e fabrikës para zëvendëskryetarit të qeverisë, për Çështje Ekonomike, Fatmiri Bytyqi dhe ministrit për Mjedis Jetësor, Naser Nuredini, është zhvilluar në kuadër të projektit “Sindrella” që zbatohet në shtatë vende, me 13 kompani partnere evropiane, ndër të cilat edhe Instituti i Ndërtimtarisë “Maqedonia”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Qëllimi i projektit është që skoriet, nga furrat për shkrirje të hekurit mbeturinë, të shfrytëzohen si material ndërtimor dhe të mundësohet reduktimi i hedhurinave urbane. Bëhet fjalë për biznes model të ri të ekonomisë cirkulare, që është opsioni i vetëm i qëndrueshëm për zhvillim të ardhmërisë së njerëzimit dhe shpëtim të planetit.

Sipas zëvendëskryetarit Bytyqi, ekonomia cirkulare ka potencial të madh në vend, veçanërisht në energjetikë dhe në bujqësi.

“Ekonomi cirkulare është një nga mënyrat për ta maksimizuar përdorimin e resurseve të kufizuara natyrore që kemi në dispozicion dhe për të siguruar rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe gjatë kësaj ta zvogëlojmë emetimin e dyoksid karbonit. Jam i lumtur që sot përfundimisht sektori privat filloi në mënyrë aktive të diskutojë për ekonominë cirkulare, por më vjen keq që si shtet ndoshta jemi vonuar dhjetëra vite”, tha Bytyqi.

Për ministrin Nuredini, ky projekt është aplikim konkret i asaj që promovohet nëpërmjet politikave për hedhurina, ndërsa këto janë përzgjedhja, ripërdorimi, riciklimi dhe ripërpunimi. Zgjidhja është produkt i bashkëpunimit të ekspertëve tanë dhe evropian, që tregon se institucionet e vendit kanë kapacitet dhe dituri për të punuar në projekte më moderne inovuese.

“Mirë është kur politika dhe praktika e ndjekin njëra tjetrën dhe gjejnë afirmim në realitet. Ky model i ekonomisë cirkulare për zhvillim të qëndrueshëm urban është prove për atë. Në këtë mënyrë mbrohen resurset primare dhe ofrojnë zgjidhje të lira e të shpejta për rekonstruktimin e rrugëve”, tha Nuredini.

Materiali ndërtimor i fituar nga skoriet tani më është përdorur në “Makstill” për rekonstruktimin e një rruge prej 2.100 metra katrorë dhe një parking prej 6.500 metra katrorë. Ai material, siç informoi Zllatko Ilioski, drejtor i Entit për Hidrologji, i ka kaluar të gjitha fazat e zhvillimit, testimit dhe përdorimit.

“Në projektin ‘Sindrella’„ janë përfshirë tre pilot kapacitete, në Spanjë, Slloveni dhe te ne, në ‘Makstill’. Janë përdorur skoriet e zeza dhe  të bardha që janë hedhurina të prodhuara nga shkrirja hekurit mbeturinë. Skoriet e zeza u përdorën për ndërtim të përzierjeve për asfalt, ndërsa të bardhat për t’ia shtuar çimentos nga e cila janë përpunuar blloqe të bardha”, vuri në pah Ilioski.

Ai konsideron që projekti është shembull i mirë se si hedhurinat fitojnë vlerë të re. Koncepti i këtyre projekteve është tendenca për zero hedhurina, kjo praktikohet në vendet e zhvilluara evropiane, ndërsa tani po vjen edhe te ne. Në këtë mënyrë kontribuohet në zvogëlimin e ndikimeve nga industria mbi mjedisin jetësor, kurse njëkohësisht u ndihmohet kompanive ndërtimore të jenë më konkurrente, por edhe më të ndërgjegjshme ndaj mjedisit.

Hulumtimet laboratorike mbi këtë lëndë të parë janë bërë në INM, ndërsa përmes tyre është vërtetuar që materiali i hedhur mund të përdoret në mënyrë të sigurt në ndërtimtari dhe të fitojë vlerë të re si produkt i përhershëm. Parametrat ekologjik të produktit janë testuar në Universitetin “Goce Dellçev” dhe në më shumë laboratorë evropian. Ato kanë vërtetuar që skoriet e zeza janë material inert dhe aplikimi i tyre nuk prodhon efekte mbi mjedisin jetësor.

“Njerëzimi në mënyrë makute dhe pa reshtur po i përdor resurset e natyrës për t’i kënaqur nevojat e tij. Tani jemi duke i ndjerë pasojat nga ky eksploatim për shkak se bie cilësia e jetës. Me këtë projekt, me partnerët evropianë mundësojmë që një material i anashkaluar të fiton jetë të re, ndërsa me atë ta mbrojmë natyrën. Kompanive njëkohësisht u mundësojmë teknologji fitimprurëse për ta aplikuar prodhimtarinë e tyre”, ka thënë Vllatko Ivanov, drejtor i INM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button