Site icon PORTALB

Sela dhe Labënishti debatuan para intelektualëve, biznesmenëve dhe studentëve!

Sela dhe Labënishti debatuan në Strugë

Sela dhe Labënishti debatuan në Strugë

Në organizimin e Universitetit Ndërkombëtar të Strugës janë ballafaquar në një debat të hapur para intelektualëve, biznesmenëve dhe studentëve të Strugës, ku përveç prezantimit të programeve të tyre dhe akuzave që kanë shkëmbyer ata janë përgjigjur edhe pyetjeve nga paneli.

Kandidati i PDSH-së Ziadin Sela sapo mori fjalën fillimisht u shpërndau fotografi të pranishmëve ndër to edhe kryetarit aktual Merko, me Strugën e shkatërruar, kushtet e këqija higjienike, plazhet e uzurpuara si dhe gjendjen e rënduar të infrastrukturës rrugore.

“Dua përmes këtyre fotografive, t’ju tregoj se në çfarë gjendjeje është katandisur Struga jonë dhe tju siguroj se kjo është hera e fundit që e shihni Strugën në këtë situatë. Unë jam këtu në këtë garë për të rikthyer shpresën tek qytetarët, për ta shëndrruar në realitet shprehjen “Struga shqiptare”, nuk jam këtu për të bërë karrierë politike sepse atë mundesha ta bëj atje në parlament. Ashtu siç e kam në programin tim zgjedhor, muajin e parë të qeverisjes sime me komunën do rikthejmë frymëmarrjen qytetit duke e çliruar nga hapësirat e uzurpuara dhe duke rikthyer higjienën që i mungon prej kohësh. Ju siguroj që hapi i parë do të jetë çlirimi i shëtitores rreth Drinit të Zi dhe rregullimi i parkingjeve që bllokojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Do rregullojmë hyrjen e qytetit, do largojmë platformat të ndërtuara në ujë që rrezikojnë jetën e qytetarëve me parregullsitë në to. Mua më vjen keq që për 8 vite ky qytet vetëm është shkatërruar. Programi ynë ka paraparë investime në sferën e turizmit, ekonomisë, kulturës dhe sportit” ka thënë Sela në fjalën hapëse të këtij debati.

Kandidati nga BDI, Arben Labënishti ka prezantuar programin e tij zgjedhor, duke premtuar se brenda katër viteve do përpiqet që në Strugë ta zhvillojë ekonominë dhe turizmin si dhe të përmirësojë gjendjen infrastrukturore.

“Dua që të ofroj para jush programin tim për Strugën. Ju siguroj se nëse fitoj mandatin për kryetar do të përpiqem që ta ngre nivelin ekonomik në qytet, të shtoj hapësirat e gjelbëruara dhe të stimuloj fuqishëm turizmin. U tërhoqa nga kandidatura ime prej deputeti për tju përkushtuar punës me komunën e Strugës. Theks të rëndësishëm në programin tonë për Strugën ju kemi vënë problemeve infrastrukturore, përmirësimin e gjendjes së rrugëve në qytet dhe në zonat urbane, kanalizimin dhe ujësjellësin” tha Arben Labënishti nga BDI.

Mes kandidatëve në fjalë u shkëmbyen akuza dhe kundër akuza ndërsa veç tjerash pati edhe pyetje nga biznesmenët, intelektualët dhe studentët e pranishëm.

Sela akuzoi Labënishtin se ai dhe partia e tij duke pasur koalicion me partinë e Canovskit e cila në nivelin qendror është aleate me LSDM-në rrezikon që të krijojë shumicë të partive maqedonase për këshillin komunal të Strugës.

“Ju jeni në koalicion me Fiat Canovskin, që para katër vitesh e quajtët Filip dhe antishqiptarë. Si mund që sot të bëheni koalicion me atë person dhe të kërkoni votat e shqiptarëve për këshilltarët e Canovskit. Është bërë shqiptar Canovski ose ju jeni bërë torbesh? Pyeti Sela kandidatin e BDI-së lidhur me bashkëpunimin me PAE-n.

Arben Labënishti theksoi se është I gatshëm që në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbështesë kandidatin i cili do të marrë më shumë vota në raundin e pare.

“Në raundin e dytë të zgjedhjeve unë do jem ai që do mbështes kundër kandidatin tim nëse ai merr qoftë edhe një votë më shumë nga unë, madje do të shkoj të bëj fushatë me atë” tha Labënishti.

Biznesmenët akuzuan qeverisjen aktuale të komunës së Strugës lidhur me aktivitetin e saj të ulët për zhvillimin e turizmit, madje ata konstatuan se Struga nuk ka turizëm real, ndërsa kërkuan nga kandidatët e rinj projekte konkrete për ta ndryshuar situatën në këtë drejtim.
Studentët e USHT-së dhe UNS-së kërkuan nga kandidatët që në të ardhmen punësimet të bëhen në bazë të vlerave dhe meritave dhe jo në baza partiake që siç thane ata ka qënë praktikë në komunën e Strugës deri tani.

Të pranishëm në debat ishin edhe kryetari I komunës së Strugës Ramiz Merko, ministri i pushtetit lokal Tahir Hani si dhe përfaqësues nga të dyja kampet politike në Strugë.

Në fund të debatit Sela dhe Labënishti shtrënguan duart duke marrë duartrokitje të forta nga të gjithë të pranishmit.

Exit mobile version