Çështjet bilaterale duhet të zgjidhen me qasje që do të jetë simbolike e pajtimit të ndërsjellë, jo ndarjes, tha presidenti slloven Borut Pahor, në një fjalim hyrës në takimin e djeshëm të Kryetarëve të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Bërdo të Kranjit, në kuadër të presidencës sllovene të BE -së, transmeton Portalb.mk.
Pahor, siç njoftoi shërbimi për media o parlamentit të Maqedonisë, Pahor shprehu keqardhje që integrimi nuk po ecën me ritmin e dëshiruar, i cili është çështje jo vetëm e zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe e paqes dhe sigurisë.
“Sllovenia është e angazhuar për të sjellë një shtysë të re në këtë proces, me të cilin do të shprehet mbështetje e fortë për perspektivën evropiane të rajonit. Ky proces është i dyanshëm, gjegjësisht, vendet kandidate duhet të përmbushin reformat e kërkuara dhe vendet anëtare duhet ta mbajnë zgjerimin lart në agjendën evropiane”, tha Pahor.
Në ngjarje merr pjesë edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi, i cili në fjalimin e tij iu referua bllokimit të integrimit të vendit në BE, për shkak të problemit me Bullgarinë.
Shefi i diplomacisë sllovene Anzhe Logar theksoi fuqinë e transformimit që ka integrimi evropian në vendet aspirante – për promovimin e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformat socio -ekonomike.
“Çështjet e hapura në rajon duhet të zgjidhen në frymën e besimit dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën evropiane”, tha Logar.
Ai konstatoi se migrimi, sulmet kibernetike dhe transformimi i gjelbër dhe dixhital i ekonomisë janë përparësi edhe për vendet aspirante dhe duhet të jenë në zemër të procesit të integrimit.
Në Deklaratën e përbashkët të miratuar në takim, pjesëmarrësit përshëndetën angazhimin e Parlamentit Evropian, i cili siguron mbështetje politike për procesin e zgjerimit, dhe theksuan nevojën për qasje strategjike ndaj zgjerimit nga Bashkimi Evropian. U potencua diplomacia parlamentare në thellimin e dialogut politik për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe angazhimin e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor për të forcuar bashkëpunimin rajonal, i cili kontribuon në rritjen e besimit dhe promovimin e procesit të pajtimit në rajon.
Deklarata e përbashkët, shtoi pres-shërbimi parlamentar, do t’i dërgohet Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, pjesëmarrësve në samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor, si dhe Konferencës së kryetarëve të Parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së.