Site icon PORTALB

Gruevski: Nëse Fatmir Dehari dëshiron të jetojë në Shqipëri le të shkojë atje

Lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski

Lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski

Fatmir Dehari me fotografitë me kallash nuk frikon asnjë. Me gjasë ky njeri më mirë ndjehet kur prezantohet me këtë fotografi. Nëse dëshiron të na shantazhojë, nga këtu i themi se asnjë njeri nuk ka frikuar deri më tani, e as në vitin 2001, e as në të ardhmen nuk do të frikojë ndonjë me ata fotografi me kallash.

Kështu u shpreh lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski sonte në tubimin e partisë së tij në Kërçovë duke komentuar kandidatin e BDI-së për këtë komunë Fatmir Dehari, i cili ditë më parë në Facebook profilin e tij kishte nxjerrë fotografi në të cilat ai pozon me uniformë të UÇK-së.

“Nëse Fatmir Dehari dëshiron të jetojë në Shqipëri, ja ku e ka Shqipërinë, le të shkojë dhe të jetojë atje. Kjo është Maqedoni, Kërçova ka qenë dhe do të mbetet Maqedoni, edhe Struga, Kumanova, Tetova dhe Gostivari kanë qenë dhe do të jenë të Maqedonisë” tha Gruevski duke aluduar në kryetarët e komunave shqiptare të mos përmendin më “bashkimin në Shqipërinë e Madhe”.

Në lidhje me mërgimtarët, Gruevski tha se BDI i sjell ata me autobusë dhe avionë por nuk do të ketë sukses sepse në këtë rast do të votojnë maqedonasit për të treguar se “e kujt është Kërçova”.

“Deharët dëshirojnë që në mënyrë artificiale ta ndryshojnë strukturën demografike me anë të diasporës… Nuk guxojmë që t’ia lejojmë Deharit të na e prishë paqen prandaj duhet të dilet në mënyrë masovike të votohet për Despotovskin” tha mes tjerash Nikolla Gruevski. /Portalb

Exit mobile version