Protestë, nxënësit e Medresesë të Tetovës kërkojnë që t’u njihen diplomat nga shteti

Shumë nxënëse nga shkolla e medresesë të vajzave në Tetovë “Isa Beu”, sot në shenjë revolte protestuan me një marsh nga shkolla e tyre deri te Myftinia e Tetovës, me kërkesë që myftinia të zgjedh problemin e mosnjohjes të medresesë si shkollë e mesme, sepse në këtë mënyrë ato nuk mund të regjistrohen në universitete Brenda vendit, transmeton Portalb.mk.

Nxënëset thane se kjo gjë u është premtuar kur janë regjistruar në këtë shkollë.

“A mundet që medresantët që pas përfundimit të medresesë si të gjithë nxënësit tjerë të Maqedonisë të regjistrohen në të gjithë universitetet publike dhe private, sigurisht përgjigja është jo. Arsimi është i detyrueshëm në RMV, jetojmë në një shtet ku ëndrrat po na vriten, ku optimizmi zë vendin e pesimizmit, sa disa vite që kur institucionet e këtij shteti demokratik kërkesat tona hasin në vesh të shurdhër, si nga Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, gjithashtu edhe nga Ministria e Arsimit edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut.” tha nxënësja Ersa Iljazi.

Myftinia e Tetovës nuk i priti nxënësit në takim, ku nuk u pranua as kërkesa zyrtare e një prindi që deshi ta dorëzojë deri te myftiniu.

“Siç e shihni edhe vetë protesta është paraqitur nga dje dhe kanë qenë në dijeni edhe myftiu edhe zëvendësi i myftiut, e shihni edhe vetë se edhe arkiva është e mbyllur nuk ka askush dhe ne si prind e kemi obligim që tu rrimë në krah nxënësve tanë, t’i kenë të drejtat si gjithë nxënësit që i kanë shkollat e mesme, t’i kenë edhe nxënësit e medresesë “Isa Beu.”” tha prindi Nusret Iljazi.

Bashkësia Fetare Islame nëpërmjet një reagimi për Alsat tha se prej 5 vitesh bëjnë përpjekje për akreditimin e Medresesë së Isa Beut në sistemin arsimor të vendit.

“Si rezultat i asaj që vitin e fundit janë intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim, tashmë është përgatitur drafti i cili në një afat të caktuar do të futet në procedurë parlamentare me qëllim të miratimit të ligjit. Në bisedat e shumta që ka pasur kryetari i BFI-së, Shaqir Fetai me bashkëpunëtorët e tij, ka marrë premtime se kjo çështje do të merr epilogun e vet pozitiv. Të këtilla janë garancitë nga faktorët relevant politik dhe Qeveritar.” thuhet në reagimin e BFI-së.

Nga Ministria e Arsimit për Alsat thanë se shkollat fetare nuk janë pjesë e sistemit arsimor kombëtar që është I financuar nga shteti, pasi Kushtetuta e RMV-së parashikon sekularizëm. Nga atje theksuan se MASH ka vendosur prioritete që kanë të bëjnë me përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të arsimit.

Ndryshe, nxënësit e Medreses “Isa Beu” pas përfundimit të shkollës së mesme nuk mund të regjistrohen në universitete në vendin tonë. Kurse thonë se diplomat u pranohen nga të gjithë shtetet e Ballkanit, si dhe në shtetet arabe ku zakonisht shkojnë për të ndjekur studimet e larta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button