Premtimet e (pa)realizuara të Visar Ganiut

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Gani, gjatë mandatit të tij të parë, nuk ka realizuar pjesën më të madhe të premtimeve më të mëdha të bëra gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara lokale, ndërsa kanë mbetur dy ditë deri te zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 17 tetor, shkruan Portalb.mk.

Para se të zgjidhej kryetar i Çairit, Ganiu bëri premtime shumë të mëdha, duke pretenduar se do të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës në këtë komunë, e cila gjendet në kaos të vërtetë, sa i përket aspektit infrastrukturor, por edhe aspekteve të tjera.

Ganiu, premtimet e tij i përmblodhi në platformën programore të quajtur “Kontrata”, me anë të së cilës ai ndau disa fusha në të cilat do të investohet, në të cilën është parashikuar intervenim në:

Projektet e premtuara:

  • Ganiu premtoi se do të ketë efikasitet energjetik, ku do të përfshihej rikonstruktimi i fasadave të objekteve ekzistuese të banimit dhe rikonstruktimi i kulmeve. Me këtë program ai parashihte rikonstruktimin e gjithsej 141 objekteve.
  • Në fushën e sportit dhe rekreacionit, mes tjerash, u premtua renovimi i plotë i objektit ekzistues të pishinës me rregullimin e pjesës së brendshme dhe të jashtme dhe ndërtimi i terreneve të hapura të reja sportive, në Fushë Tophanë dhe Karadak Mahallë.
  • Ganiu premtoi, rikonstruktimin e shkollave fillore, rikonstruktimin e kopshteve për fëmijë, ndërtimin e kopshteve të reja për fëmijë, zgjerimi i shkollave fillore ekzistuese, ndërtimin e leximores.
  • Një tjetër premtim shumë i madh i Ganiut ka qenë ndërtimi i garazheve në kate, me çka atë botë Ganiu premtoi se do të ndërtonte madje katër garazhe në kate, garazh në kate te Sahat Kulla, garazh në kate te Teatri Shqiptar, garazh nëntokësore në kate te Sheshi Skënderbe, garazh në kate te Çairçanja.
  • Ai po ashtu premtoi se, klinikë për fëmijë në këtë komunë dhe në programin e tij parazgjedhor vendosi se do të bëjë rikonstruktimin e objektit ekzistues dhe partnerit mbi lagjen Gazibabë.
  • Të rinjve, Ganiu u premtoi se do t’u hap qendra të reja rinore në lagjen Seravë.
  • Sa i përket fushës së infrastrukturës, dhe Ganiu në ‘Kontratë” ka premtuar, rikonstruktim të rrugëve dhe trotuareve, zgjerimi të bulevardit Nikolla Karev, vendosja të elementeve mbrojtëse të betonit, shtigje të reja për biçikleta, parkingje të reja të hapura, regjim i përhershëm i komunikacionit në rrugë njëanësore, qarqe rrugore, kanalizim atmosferik, kanalizim fekal, instalimi i ujësjellësit…
  • Gjithashtu u premtua investim edhe në Çarshinë e Vjetër si, rikonstruktimi i kalldrëmit, restaurimi i vitrinave të dyqaneve ekzistuese.
  • Si pjesë e investimeve kapitale, Ganiu përsëriti premtimin e tij të trashëguar nga paraardhësi i tij, për modernizimit e Tregut të Gjelbër të Bit Pazarit, i cili premtohej që nga viti 2013.

Projektet e realizuara

Gjatë mandatit të tij katër vjeçar, Ganiu ka realizuar disa prej premtimeve të bëra. Si pjesë e këtyre premtimeve, është rikonstruimi i një pjesë të kalldrëmit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, në kuadër të së cilit janë gërmuar gurët e vjetër dhe të njëjtit janë zëvendësiuar me të rinj.

Në koordinim me Qytetin e Shkupit, është realizuar investimin në rrugën “Brigada e Dytë Maqedonase”, ku është ndërtuar korsi për biçikleta. Korsi për biçikleta janë ndërtuar edhe në lagjen Xhon Kenedi, por të njëjtat nuk janë funksionale, pasi aty vazhdojnë të parkohen veturat e ndërtesave që ndodhen në këtë lagje, si mungesë e vendeve të parkimit, që është një premtim tjetër i parealizuar i Ganiut.

Komuna e Çairit në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe Ndërmarrjen Publike “Parqet dhe Gjelbërimet” kanë ndërtuar një këndi argëtues dhe edukativ për fëmijë, në Fushën e Sportit në lagjen e Fushë Tophanes.

Komuna e Çairit ka hapur një Qendër të Komunitetit Rinor, hapësirë inovative publike për të mbështetur dhe stimuluar kreativitetin te të rinjtë, për t’i kyçur ata në aktivitete të ndryshme, por edhe për të krijuar bashkëpunim dhe atmosferë pune mes etnive.

Në kontratën e tij Ganiu premtoi se do të ndërtonte një leximore në Komunën e Çairit, por në vend të kësaj, leximorja u vendos në një objekt ndërtese në lagjen Xhon Kenedi.

Komuna e Çairit, si pjesë të premtimeve parazgjedhore, ka rregulluar rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në disa pjesë të lagjes Seravë.

Në muajin shkurt të këtij viti, filloi ndërtimi i 8 paraleleve shtesë të  SHFK “Ismail Qemali”. Projekti ka përfunduar pas fillimit të vitit shkollor.  Ky ka qenë edhe një ndër premtimet që ka bërë Ganiu gjatë fushatës parazgjedhore, ndërsa mjetet për realizimin e këtij projekti janë siguruar nga donatori i “Eftnija Impex”.

Projektet e filluara

Një muaj para zgjedhjeve lokale, kryetari i Komunës së Çairi, Visar Ganiu, së bashku me disa funksionarë partiak të BDI-së, kanë vendosur gur-themelin për ndërtimin e një salle sportive në Shkollën Fillore Komunale “Jashar Bej Shkupi”, e cila ndodhet në lagjen Duqangjik të kësaj komune.

Një muaj para zgjedhjeve, ekipet e punës të Komunës së Çairit filluan me shtruarjen e korsive të Stadiumit të FC Shkupit.

Edhe përkrah premtimeve për rikonstruimin e pjesës më të madhe të çerdheve, momentalisht në këtë komunë, është në rrjedhë ndërtimi i vetëm një çerdheje e cila nuk pritet të përfundojë para tetorit të vitit të ardhshëm, sipas afatit parashikimeve të investitorit.

Projekti për modernizimin e tregut të Bit Pazarit që premtohej nga viti 2013, ka përfunduar dhe tregu është lëshuar në funksion. Tenderi është shpallur, por Ganiu nuk realizoi premtimin për ndërtimin e pishinës gjatë këtij mandati

Premtimet e parealizuara

Megjithatë, Visar Ganiu nuk ka përmbushur pjesën më të madhe të premtimeve të tij të mëdha. Ganiu, për pjesën e infrastrukturës, kishte paraparë buxhet të përgjithshëm prej 158,332,118.00 denarësh (2,595,608 euro), me të cilin ai premtoi se do të realizojë një sërë projektesh në infrastrukturë, mes të tjerash parkingje prapa bllokut banesor në bul. Nikolla Karev, parkingje në udhëkryqin Xhon Kenedi dhe Kemal Sejfulla dhe rrethrrotullime në disa rrugë, përfshirë edhe atë “Cvetan Dimov”.

Edhe pse kishte premtuar 15 rreth-rrotullime, një agjendë mjaft ambicioze për zgjidhjen e problemit të trafikut në Çair, Ganiu nuk realizoi as gjysmën prej tyre. Ai ka ndërtuar një rreth – rrotullim një lagjen Fushë Topanë dhe një në Çair. Ndërsa, më 28 prill të këtij viti, bashkë me kryetarët e komunave të Butelit, Karposhit dhe Qendrës u promovua fillimi i një projekti për ndërtimin e dy rreth-rrotullimeve të reja që do të ndërtohen në zonën e quajtur Momin Potok për të lidhur bulevardet Nikolla Karev, 8 Shtatori dhe Sllovenia.

Si zgjidhje për problemin e parkingut në këtë komunë, Ganiu kishte premtuar ndërtimin e katër garazheve në kate. Për katër vite me radhë nuk u ndërtua asnjëra prej tyre, ndërsa vetëm një muaj para zgjedhjeve Ganiu, Shilegov nënshkruan marrëveshje me biznesmenin nga Kosova, Begjet Pacolli, për ndërtimin e garazheve në kate. Por, procedurat burokratike për ndërtimin e tyre nuk kanë përfunduar ende.

Një tjetër projekt që ka ngecur, është ai për pajisjen e ndërtesave në Komunën e Çairit me efikasitet energjetik. Edhe pse ky ishte një ndër premtimet kryesore që ka bërë kryetari aktual i kësaj komune, Visar Ganiu gjatë fushatës parazgjedhore, komuna nuk ka arritur që të bind banorët e ndërtesave që të pajtohen me ofertën e tyre për realizimin e këtij projekti, përkatësisht për rikonkstruimin e fasadave të ndërtesave.

Nuk është realizuar as premtimi për ndërtimin e pishinës në Çair. Edhe pse agjencia e Rinisë dhe Sportit ka shpallur tenderin për ndërtimin e katër pishinave, në mesin e të cilave është paraparë edhe ndërtimi i pishinës në Komunën e Çairit, Ganiu premtoi se pishina do të ndërtohej brenda mandatit të tij dhe nuk e realizoi këtë.

Ganiu nuk përmbushi as premtimin për Qendër Klinike për Fëmijë, për të cilën gjatë fushatës parazgjedhore, premtoi buxhet prej  112,310,860.00 denarë (1.841,161,64 euro). Ai kishte paraparë rekonstruim i objektit ekzistues 66,740,860 denarë (1,094,112 euro) dhe zgjerim të pjesës së re 45,570,000.00 denarë (747,049 euro).

Premtimet e bëra për çerdhe dhe shkolla kanë mbetur po ashtu vetëm në letër. Për SHFK “Imri Elezi”, Ganiu kishte premtuar se do të bënte rregullim hortikulturor dhe rrugica për këmbësorë. Madje, për këtë ai kishte parashikuar edhe një buxhet prej 10.127.150.00 denarësh. Për SHFK “Kongresi i Manastirit”, premtonte se do bënte rregullim hortikulturor. Po ashtu, për SHFK “Ismail Qemali” kishte premtuar rikonstruim të fasadës, rikonstruim të kulmit, rikonstruim të gardhit, rregullim hortikulturor, fushë loje me rekuizita, pajisje urbane, rrugicë për këmbësorë, zgjerimi me 10 paralele, një gjë e tillë nuk është realizuar.

Sa i përket çerdheve për fëmijë, ai premtoi se do të bënte rikonstruimin e kopshteve Borëbardha 1 – Xhuxhet, Borëbardha 2 – Fjolla, Fidani 1 – Amë, Fidani 4 – Vesa, ndërsa do të ndërtonte kopshtin e ri Fidani 3 – Bambi dhe një kopsht të ri në rrugën Serava. Por, këto premtime të bëra për shkollat dhe çerdhet nuk u realizuar.

Po ashtu, nuk u realizua as premtimi për rikontstruimi e objektit i cili do t’i dedikohet qëndrës rinore. Në kontratën e tij, Ganiu kishte premtuar edhe objekt të ri për qendër rinore, për të cilën kishte paraparë buxhet prej 15,300,000.00 den (250,819 euro).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button